E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do të bëjmë gjithçka për të mbështetur protestën

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vlerësoi sot pjesëmarrjen e pedagogëve në protestën e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë, duke e cilësuar atë si një nga ditët më të rëndësishme të revoltës rinore.

Gjatë një takimi me të deleguarit e Kryesisë në degët e Tiranës, kryetarët dhe koordinatorët e degëve të Tiranës, Berisha tha se pedagogët në mënyrën më të vendosur i dhanë përgjigjen më shkatërrimtare strategjisë së terrorit të kuq.

“Por sheshi plot i pedagogëve dhe studentëve sot ishte përgjigja më dinjitoze e këtyre grave dhe burrave fisnikë, intelektualë të vërtetë, që hoqën mënjanë mantelin e konformizmit dhe dolën në shesh të mejdanit me studentët e tyre. Nuk ka asgjë që dallon intelektualin e vërtetë nga pseudointelektuali. Intelektuali i vërtetë beson dhe është një avokat i pamposhtur i interesit publik”, vijoi ai.

Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorimin e dhunës gjatë protestës së një dite më parë, duke pretenduar se ndaj protestuesve u përdorën persona të paguar.

“E them edhe një herë, kjo ishte një nga ditët më të rëndësishme, me fuqi përcaktuese. Jo se ai do të arrijë të shpëtojë nga kjo revoltë, por natyrisht do ta spostonte, do ta ngadalësonte, ndërsa sot ai mori atë që meritonte dhe do ta marrë çdo ditë”, tha Berisha.

Kreu i PD kërkoi që të mbështesin protestën dhe të mbrojnë studentët dhe të rinjtë. “Mbështetja e protestës kërkon angazhimin e të gjitha burimeve njerëzore të mundshme për t’i nxjerrë në protestë. Ne kemi përgatitur një fletëpalosje, do të krijohen grupet e punës dhe do të shpërndahet në çdo derë, në çdo familje, në çdo lagje. Do të bëjmë gjithçka për mobilizimin maksimal të qytetarëve, të të rinjve, të prindërve në mbështetje të gjimnazistëve, të rinjve dhe qytetarëve në protestë” tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›