E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do dëmshpërblejmë çdo protestues për dënimet që marrin

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD-ja do të dëmshpërblejë plotësisht protestuesit për dënimet që mund të marrin, si dhe do të krijojë një pikë mjekimi për të rinjtë dhe qytetarët e lënduar gjatë protestave.

Në një takim me të deleguarit e kryesisë në degët e Tiranës, kryetarët dhe koordinatorët e degëve, Berisha garantoi studentët dhe qytetarët se Partia Demokratike do t’u ofrojë mbështetje ligjore dhe mjekësore.

“Për çdo lloj dënimi që ata marrin sot, do të dëmshpërblehen 100% nga Partia Demokratike nesër”, tha Berisha duke shtuar se “do të dekorohen për qëndresën e tyre, do të marrin vlerësimin që meritojnë”.

Ai tha se PD-ja ofron shërbim falas avokatie dhe denoncimi për protestuesit, ndërsa bëri të ditur se është hapur një faqe për raportimin e keqtrajtimeve dhe shkeljeve të të drejtave të tyre.

Berisha tha se do të krijohet edhe një hapësirë për trajtimin e plagëve të lehta, me mbështetjen e një grupi mjekësh dhe infermierësh, ndërsa rastet e komplikuara do të referohen në qendrat shëndetësore përkatëse.

“Shtëpia e Partisë Demokratike është shtëpia e protestuesve. E hapur për ta plotësisht dhe në çdo rrethanë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se PD-ja do të ofrojë mbrojtje ligjore për të miturit që janë përfshirë në protesta.

Gjatë takimit, Berisha akuzoi gjithashtu disa inspektorë të inspektorateve shtetërore dhe vendore se janë veshur me uniforma policie për të marrë pjesë në veprimet ndaj protestuesve.

Ai theksoi se bëhet fjalë për më shumë se dy mijë persona dhe paralajmëroi se do të identifikohen e do të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Berisha u kërkoi degëve të partisë të regjistrojnë personat që kanë veshur uniforma policie, ose kanë marrë detyra gjatë protestave.

Ai shtoi se, ekzistonte një plan për të sulmuar dhe djegur selinë e Partisë Demokratike, por protestuesit nuk e pranuan një veprim të tillë.

“Qëllimi ishte të digjej selia këtu. Po protestuesit nuk pranuan asnjë urdhër të tillë”, u shpreh ai.

Kreu i PD paralajmëroi se personat që kanë shkelur ligjin gjatë protestave do të përballen me pasoja ligjore.

/gj.m/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›