Berisha: Do të krijojmë Agjencinë Kombëtare të Konfiskimit të Pasurive të Paligjshme

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD-ja synon të krijojë një Agjenci Kombëtare të Konfiskimit të Pasurive të Paligjshme, me qëllim rikthimin te qytetarët të pasurive që janë përfituar nga korrupsioni dhe veprimtaritë kriminale.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha iu përgjigj një pyetjeje për mënyrën se si do të sigurohet që përgjegjësit për abuzimin me fondet publike të përballen me drejtësinë dhe që paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme të rikuperohen.
Ai theksoi se pasuritë e paligjshme të zyrtarëve të korruptuar dhe personave të përfshirë në veprimtari kriminale ndodhen edhe në llogari bankare jashtë vendit.
“Jap garanci të plotë se, me një kuadër të ri ligjor, kjo agjenci do t’i rikthejë në vlera për qytetarët shqiptarë të gjitha pasuritë e plaçkitura, të grabitura apo të vendosura nga veprimtari kriminale”, u shpreh Berisha.
/gj.m/j.p/