Berisha: Edi Rama si Rexhep Qosja, nostalgji për Enver Hoxhën: Bëri shtet serioz!
Rama dhe Ngjela, tentativë për puç te “darka e gabuar” në kazino “Rozafa”. “Edi Rama festoi 8 dhjetorin pa dhjetoristë në parti - shmangu Blushin dhe Majkon”
Kryeministri Sali Berisha foli dje nga mbledhja e grupit kuvendor të PD, për një tendencë të Edi Ramës, me qëllim mbrojtjen e krimeve të diktaturës së Enver Hoxhës. Berisha iu referua një darke të Edi Ramës me bashkëpunëtorë të tij, Koço Kokëdhima dhe Spartak Ngjela, të cilën ai preferon ta quajë “darkë të gabuar”, te kazino “Rozafa”, në Tiranë, ku gatitej një puç kundër kryeministrit të vendit dhe lartësohej figura e Enver Hoxhës.
“Më duhet t’ju rrëfej një “darkë të gabuar”, jo si ajo e Kadaresë, por në disa nuanca shumë e gabuar, që ka ndodhur 5 ditë më parë, tek Rozafa, te kazinoja. Aty, në dukje po festohej ditëlindja e njërit prej ish bashkëpunëtorëve të mi. Në thelb, jo me një, por me disa dëshmitarë, kjo darkë ishte një lloj përpjekjeje për një gjysmë komploti apo puçi, që, natyrisht, nuk ishte ndaj kurrkujt tjetër, përveçse ndaj Sali Berishës. Së pari filloi me tezat se Enver Hoxha bëri shtet. Ideolog i kësaj teze ishte përzgjedhur nënkryetari i gjithëfuqishëm i PS-së, Koço Kokëdhima. Por dëshmitarë të çështjes ishin Edi Rama, Spartak Ngjela. Ndërkohë një ish mik i imi, një gazetar i një gazete që nuk botohet më, i thotë: Spartak, po çfarë shteti bëri Enveri, sepse ai të futi në burg ty dhe prindërit e tu. Spartaku ia kthen: Në burg më futi, por më futi me ligje. Të pranishmit i kthehen Edi Ramës dhe i thonë: Kemi ardhur këtu për të bërë enverizëm, apo si të ftuar? Dhe ai u thotë se shtetin, Enveri e kishte serioz”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ndërsa vijoi, duke vazhduar me darkën; “pasi Rama bëri gjithçka për të lartësuar Enver Hoxhën dhe, natyrisht, për të nxirë figurën e Sali Berishës, muhabeti u prish komplet, kur gazetari që përmenda më lart, të cilit nuk po ia përmend emrin se nuk dihet si e marrin, i thotë: Kur unë kisha muhabet me Berishën, i kisha thënë në mënyrë të përsëritur që tre vetë nuk të duhen”. “Avokat Ngjela kthehet dhe e pyet kush ishin ata të tre? Dhe gazetari vazhdon: I pari Spartak Ngjela, i dyti Mero Baze, i treti Bamir Topi. Kjo gjë e xhindosi avokatin. Si përfundim, ajo çka në paraqitje ishte një ditëlindje, u shndërrua e tëra në një darkë të gabuar, jo me Gurametër, por me guralecë”, tha Berisha.
Kryeministri i kujtoi Ramës se para se të lartësojë diktatorin Hoxha, duhet tu kërkojë të falur shqiptarëve për krimet çnjerëzore të komunizmit.
“Edi Rama do të kishte bërë mirë t’u kishte kërkuar të falur shqiptarëve, në këtë 100 vjetor, për të gjitha barbaritë, mizoritë që kreu ndaj shqiptarëve diktatori stalinist dhe bllokmenët e tij hoxhistë. Duhet ta bënte këtë gjë, të paraqiste një lloj ndjese. Megjithatë, në këtë vit të 100 vjetorit, prisja që të kërkonte ndjesë. Edhe pse nuk ia thashë këtë përgjatë një viti të jubileut, sepse mendova se ai do të kishte një shtysë edhe për të përgënjeshtruar atë që unë i them shpesh, “neobllokmen”, deklaroi kryeministri.
Kreu i qeverisë sqaroi se tezat e Ramës për të lartësuar Enver Hoxhës, rrjedhin nga Rexhep Qosja i cili s’ngurron të thotë për diktatorin se, ndërtoi institucione serioze. Ndërsa një tjetër përcaktim si pjesëmarrës në “darkë”, shkon për Koço Kokëdhimën, për të cilin kryeministri Berisha u shpreh se ende ëndërron të bëhet Sekretar i Parë i Fierit.
“Mos mendoni se shqiptarët kanë harruar as zvarritjen e busteve të tij, por as edhe shkaqet e tmerrshme që i detyruan ata që t’i zvarrisin këto buste.
“’Enveri bëri institucione serioze’, thoshte Rexhep Qosja dikur. Ju duhet ta dini se, kur shkuan kosovarët në Vuthaj, vuthjanët dërguan çelësat e shtëpive që nga Nju Jorku, por vetëm dy shtëpi nuk u hapën kurrë, njëra prej të cilave ishte ajo e ‘profesorit’ të Shpëtim Gjikës. Ajo nuk u hap ndonjëherë. Kjo, atij iu shpërblye në kulmin e festimeve të Vlorës, vetëm sepse deklaroi se ‘Enveri bëri shtet serioz’. Por Enveri bëri diktaturën më çnjerëzore që Europa ka pasur. Kurrë ndonjëherë, ndonjë popull nuk ka vuajtur nga ndonjë diktator, sa shqiptarët nën diktaturën hoxhiste. Pra, atë që ekspozoi profesori i tyre enverist e zhvilluan më tej në ‘darkën gjysmë të gabuar’, dy pinjollët e nomenklaturës dhe Koçoja, i cili ende dukej se ëndërronte të bëhej nga Sekretar i Parë i Fierit, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë dhe pastaj të kalonte në radhët e para të partisë. Por, faktikisht, ai sot sundon PS-në”, theksoi kryeministri.
Nisur nga subjekti i librit të Kadaresë, Berisha uroi që dikush prej pjesëmarrësve në “gjysmë darkën e gabuar”, të dalë dhe të nxjerrë “sekretet” e diskutuara aty.
“Kadareja, historinë që përshkruan tek vepra e tij e kishte me të thënë dhe ka përshkruar diçka që nuk e ka përjetuar vetë, sepse nuk ka qenë pjesëmarrës në darkën e gabuar. Por unë uroj që dikush tjetër, që ka qenë tek kjo darkë së fundi, ta përshkruajë atë si ‘darka gjysmë e gabuar’, për të nxjerrë të gjitha të vërtetat e saj, të cilat ishin të vërteta shumë të hidhura”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Po në këtë kuadër, kryeministri Berisha iu referua një tjetër çështje me protagonist Edi Ramën. Berisha solli në vëmendje se kreu i PS festoi 8 dhjetorin pa asnjë dhjetorit aty.
“Në atë takim, po ashtu, vihej re se nuk kishte ftuar as Majkon, as Blushin. Ai e kremtoi 8 dhjetorin pa ata pak dhjetoristë që ka në parti”.