E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në përvjetorin e themelimit të PD: Fitojmë zgjedhjet e 23 qershorit – veprat pasaportë besimi për qytetarët

11-12-2012 / Gazeta 55

UPDATE- Partia Demokratike festoi sot në Pallatin e Kongreseve, 22 vjetorin e themelimit të saj. Në ceremoninë ku ishin të pranishëm protagonistë të lëvizjes së dhjetorit, themelues, anëtarë, ministra, deputetë dhe mbështetës, kryetari i PD dhe njëherazi kryeministër i vendit, Sali Berisha deklaroi se pas 28 nëntorit të vitit 1912, themelimi i PD-së do të përbënte ngjarjen më historike të kombit shqiptar. Kreu i qeverisë tha se PD përkujton 22 vjetorin e krijimit, si forca politike më e fuqishme në Evropën ish komuniste, lokomotivë e proceseve të zhvillimit dhe forca politike e besimit më të madh të të rinjve shqiptarë. “Vijmë sot në 22 vjetorin e themelimit të PD si forca politike më e fuqishme në Evropën ish komuniste. Festojmë në këtë 22 vjetor si forca me e fuqishme e vendit, si forca lokomotivë e proceseve të zhvillimit. Por mbi të gjitha vijmë si forca politike e besimit më të madh, më masiv të të rinjve shqiptarë. Pas 28 Nëntorit 1912, themelimi i PD-së, rilindja e lirive dhe të drejtave tona do të përbënte ngjarjen më të rëndësishme historike në jetën e kombit shqiptar. Shqipëria në vitin 1990 hyri në vitin zero të ekzistencës së saj, por ajo do dilte nga ai vit i mrekulluar. Në dhjetor të vitit 1990 shqiptarët përjetuan një ringjallje të kurajës, guximit të shpresës, trimërisë dhe vendosmërisë së tyre. Të rinj me në krye tribunin e lirisë Azem Hajdari do të ngriheshin në një betejë që kronistët e kohës e krahasuan me betejën e Davidit. Gjunjëzuan diktaturën komuniste më te egër në Evropë dhe themeluan PD të Shqipërisë. Azem ti je gjallë. Ndaj ne sot festojmë së bashku jo thjeshtë ditën e themelimit të një partie, por ditëlindjen tonë të dytë, të lirive tona, të shpresave dhe të ardhmes tonë”- u shpreh Berisha. 


Në vlerësimin e kreut të mazhorancës qeverisëse, PD u themelua si parti e idealit më fisnik të njeriut, të lirisë. “PD u themelua si parti e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar dhe integrimit evropian të vendit. Ajo u themelua si parti e interesit kombëtar të shqiptarëve. Në 100 vjetorin e Pavarësisë bëhet gjithnjë e më e madhe vepra e atyre që themeluan në 22 dhjetor PD. Por mbi të gjitha shkëlqen më shumë se kurrë, mundi djersa, vizioni, puna krijuese, gjenia krijuese e qytetarit shqiptar, e të rinjve që me guxim të madh përmbysën në 22 mars diktaturën hoxhiste, dhe shndërruan Shqipërinë në vendin e lirive dhe të drejtave njerëzore. Zotohem para jush se PD do të mbetet për jetë të jetëve partia e të drejtave dhe idealeve tuja”, vuri në dukje Berisha. 


Vota e 23 qershorit, votë për Evropën - do thyejmë murin e bllokimit


Progresi i vendit nën qeverisjen e PD-së ishte një tjetër moment në të cilin u ndal gjerësisht kryeministri Berisha. Lideri demokrat shprehu bindjen se mandati i ardhshëm do të jetë mandati i Shqipërisë së zhvilluar dhe se “vota e 23 qershorit, është votë për bashkimin, votë për Evropën”. Gjithashtu, Berisha siguroi të gjithë qytetarët se së bashku me ta me 23 qershor do të thyejnë murin e bllokimit të opozitës. “Ne që shembëm murin e Berlinit, çamë murin e izolimit, ne që shembëm murin e bashkisë ne do të shembim murin e bllokimit, vota e 23 qershorit është votë për të ardhmen, është votë për Evropën. Ne do të fitojmë”- deklaroi kryeministri.


Me një lutje drejt Zotit për bekim të Shqipërisë, rinisë, flamurit, miqve të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve në trevat shqiptare dhe diasporë, numri një i PD e përmbylli fjalimin përpara qindra të pranishmëve, përfaqësues, anëtarë e protagonistë të PD, ambasadorë të akredituar në vendin tonë si dhe simpatizantë të partisë së djathtë më të madhe në vend.


Ndërkaq, në çelje të kësaj ceremonie, përpos himnit kombëtar, u përcollën mesazhet e zyrtarëve të lartë të kampit blu, duke nderuar një ditë të tillë. Konkretisht, nëpërmjet një video mesazhi, themelues të partisë si Ridvan Bode, Jozefina Topalli, Astrit Patozi falënderuan dhe uruan ditën e veçantë për demokratët. Sikurse, nuk mund të mos ishte prezent një historik i trajtuar në formën e një dokumentari të të gjithë ecurisë ndër vite te PD-së, që nga themelimi i saj. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›