Berisha: Fazllic, hetim nga prokurorë ndërkombëtar
“Nuk mund të lejoj që të cënohet sipërmarrja e lirë në vendin tonë. Pasi kjo prish klimën e investimeve dhe imazhin e Shqipërisë”. Kështu është shprehur sot Kryeministri Berisha, duke iu referuar sekuestros që i ka bërë prokuroria shqiptare pronave të bzinesmenit serbo-kroat, Damir Fazllic në Durrës.
Sipas Berishës, do të ngrihet një grup hetimor i përbërë nga prokurorë të vendeve mike të Shqipërisë që do hetojë mbi bizneset e Fazllic në Shqipëri. Berisha ka shtuar se “prokurorët shqiptarë nuk do të përjashtohen nga kjo çështje por do të jenë pjesë e grupit ndërkombëtar të hetimit”. I pyetur nëse do t’i thoshte Damir Fazllic të vinte në Shqipëri për të dëshmuar para prokurorëve, Kryeministri tha se “Fazliç do të paraqitet para drejtësisë, unë e konsideroj të domosdoshme. Nuk jam unë që e bëj këtë, e bën ai vetë. S'mund të ketë as një lloj mëdyshje për këtë.Do t’i nënshtrohet rregullave për sa kohë bën biznes në këtë vend”.
” I pyetur lidhur me lidhjet e mikut të tij Fazliç me kunatin e ministrit Basha, Berisha u përgjigj: “Kunati i Ministrit Basha, Erion Isufi nuk ka qenë kurrë ortak me Fazliç. Ai ka dhënë dorëheqjen e tij nga kompanitë e Fazliç pasi ka qenë i punësuar si administrator”.
Hetimi do të bëhet për të parë nëse ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme apo jo në vendin tonë. “Në rast se evidentohet se “qeveria shqiptare i ka dhënë një qindarkë nga fondet publike Damir Fazliç, atëherë ju mund të thoni se ne i kemi dhënë atij miliarda…” Berisha vijoi mbrojtjen ndaj bizneseve të Fazlic duke kërkuar edhe përfshirjen e Parlamentit në këtë histori. Ai tha se do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit që do të ndalet në shqyrtimin e marrëdhënieve mes Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjithashtu Berisha ka kritikuar prokurorët që i kanë telefonuar shefit të komsiariatit të Rinasit të bllokojë në aeroport Damir Fazllic. Kjo bëhet, tha Kryeministri, vetëm në raste flagrante. “Nuk e di se ku e kanë gjetur këtë praktikë, mbase nga koha e komunizimit për të ndalur qytetarët e lirë të botës me telefon. Kjo është e papranueshme”, tha Kryeministri.