E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: GJND faktoi para botës pavarësinë e Kosovës

Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se ky është një vendim që hedhë poshtë të gjitha traktatet që janë bërë në kohë kundër shqiptarëve.

“Gjykata e Hagës faktoi para botës se pavarësia e Kosovës është në të drejtën ndërkombëtare. është në frymë me të gjitha rezolutat dhe rregulloret për Kosovën nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ky është një vendim historik, kontribut madhor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “në analizën dhe vendimin e tyre gjykatësit e gjykatës më të lartë të botës, faktuan se shpallja e pavarësisë ishte rezultat i pa shmangshëm, ishte e drejtë e pa tjetërsueshme e përfaqësuesve të popullit të Kosovës”.

Kryeministri tha se ky vendim përbën shpërblimin më të madh, mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që me sakrificën e tyre bënë të mundur pavarësinë e Kosovës.

“Ky vendim është gjykim dhe hedhja poshtë e të gjitha traktateve që ranë mbi kombin shqiptar që i shkaktuan atij thyerje, vuajtje dhe sakrifica më të mëdha se sa malet e tyre. Vendimi i gjykatës përbën një mbështetje të madhe, një inkurajim madhor, një detyrim të madh që shqiptarët të angazhohen për ndërtimin dhe konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, që shqiptarët ndonëse të ndarë në tre katër shtete, të ndërtojnë idealin e tyre evropianë, aty ku janë duke vënë interesin më jetik kombëtar të tyre”, tha gjithashtu.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se “vendimi i gjykatës së Hagës është një kontribut madhor dhe një qëndrim i ri i marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve, dy kombeve të cilat pavarësisht nga historia e shkuar, kanë tani të përbashkët idealin evropian. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare është e vendosur të jap kontributin e saj për një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve, të ndihmojë me aq sa ka mundësi në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›