E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Gëzuar 28 Nëntorin, ditëlindjen e Shqipërisë së pavarur

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi sot shqiptarët për 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë si dhe përkujtoi edhe 81-vjetorin e Çlirimit të vendit nga ushtria naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Berisha theksoi rëndësinë e 28 Nëntorit për mbarë shqiptarët dhe kombin.

“Gëzuar 28 Nëntorin, Ditëlindjen e Shqipërisë së pavarur.

“Miq, sot mbarë kombi ynë në Shqipëri dhe kudo që jetojnë shqiptarët, feston 28 Nëntorin si festën e të gjitha festave ditën e Flamurit tonë Kombëtar ditën e shpalljes më 28 nëntor të vitit 1912 nga Ismail Bej Vlora të Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës. Ndaj sot në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë 113-vjetorin e saj ne nderojmë dhe përulemi me mirënjohjen më të thellë për Flamurin tonë Kombëtar, babain e Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Bej Vlorën dhe Isa Boletinin dhe etërit e tjerë të saj, nderojmë qindra e mijëra shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor për Shqipërinë e Lirë dhe të pavarur.

“Prandaj të dashur miq ju ftoj t’i urojmë së bashku Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë gëzuar këtë ditë, përjetësi, zhvillim dhe begati. Më 28 nëntor të vitit 1443 prijësi i përjetshëm i kombit Shqiptar ngrit Flamurin e Lirisë në Krujë dhe për më shumë se gjysmë shekulli shndërroi Krujën dhe Arbërinë në kështjellën e pamposhtur të lirisë. Sot në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë ne nderojmë prijësin tonë të përjetshëm Skënderbeun, luftërat e tij legjendë që i dhanë kombit shqiptar pavdekësi”, shkruan Berisha.

Berisha tha se në këtë datë 81 vite më parë Shqipëria u çlirua nga pushtuesit e huaj.

“Po këtë datë 81 vjet më parë nga Shqipëria u larguan pushtuesit e huaj dhe hyri si “çlirimtar” Enver Hoxha i cili pasi shndërroi luftën e Shqiptarëve kundër pushtueseve të huaj në një luftë vëllavrasëse vendosi në Shqipëri si Hitleri shqiptar i pas Luftës së Dytë Botërore diktaturën staliniste më mizore që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre”, shkruan Berisha.

Berisha vijoi më tej se vendi është kthyer në një narkoshtet në një hark kohor prej 10 vitesh. Sipas Berishës, Shqipëria po shkretohet nga politikat e regjimit kleptokratik të qeverisë.

“Le te na frymëzojnë festat e kësaj dite për të çliruar sa më shpejtë Shqipërinë nga regjimit i Pashiqit të Tiranës. Së fundmi të dashur miq ju urojmë mbarë shqiptarëve gëzuar ditën e Flamurit dhe Pavarësisë. Nderim përjetë Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të pavarësisë. Nderim për jetë të rënëve të kombit tonë. Gëzuar!”, shkruan Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›