E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Gjendja energjitike mbetet e veshtire

Kryeministri Sali Berisha theksoi sërish se “gjendja energjitike mbetet e vështirë” gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike.

Kaskada është në nivelet më të ulta historike. Importi vazhdon dhe vendimi që për sa kohë do të kemi nevojë do të blejmë energji do të qëndrojë në fuqi”, deklaroi kryeministri.

“Kritikat që i bëhen qeverisë se po përdor buxhetin për të blerë energji dhe britmat e opozitës se kjo është diçka e pastudiuar janë të pabaza. Unë mund të theksoj se energjia është jetike për funksionimin normal të një vendi dhe e lidhur me një seri funksionesh në biznes dhe familje. Do bëjmë gjithçka që kurrë të mos mungojë. Gjatë këtij viti do të ngrihen një seri hidrocentralesh dhe projekte të tjera të mëdha janë në zhvillim e sipër si investimet në kaskadën e Devollit”, shtoi Berisha.

Përsa i përket reformës zgjedhore, Berisha hodhi poshtë akuzat e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, se mazhoranca po bllokon procesin.

“Nuk është paraqitur as edhe një amendament i vetëm nga opozita që nuk është shqyrtuar. Problemi është se opozita propozon vetëm dënime. Pa diskutim që do të ketë penalitete, por dënim me 7 vjet burg në këtë vend për shkelje me fletë-votimet është absurde. Mazhoranca nuk bllokon asgjë, Edi Rama është ai që i bllokon reformat”, deklaroi Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike, i cili nuk e përmendi aspak largimin e deputeti Gazmend Oketa nga grupi parlamentar i mazhorancës, foli edhe për gjendjen e emergjencës civile nga moti i keq.

“Rreziku për orteqe në disa zona është shumë i madh. Kemi kontakte të vazhdueshme me Shtabet e Emergjencave në qarqe për të qenë të informuar për situatën. Sipas kërkesave të autoriteteve vendore janë shpërndarë sipas kërkesave. Gjendja e emergjencës ka rënë në shumicën e territorit, por sërish do të jetë në fuqi deri sa ajo të eliminohet plotësisht. Falenderoj deputetët për punën dhe angazhimin e tyre”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›