Berisha: Gjithçka për të rikthyer specialistët shqiptarë në atdhe. 20 % e administratës është shkolluar në universitetet më të mira
Kryeministri Sali Berisha foli në mbledhjen e qeverisë për fondin e ekselencës, që sipas tij parashikon mbështetje financiare për studentët shqiptarë që fitojnë të drejtën për të studiuar në 15-20 universitetet më të mira në botë.
Theksoj edhe njëherë fondin për ekselencat që ne e kemi pa kufizim. Sikur edhe 100 shqiptarë të fitojnë të drejtën për të studiuar në 15 universitetet më të mira në botë, vendi do i mbështesë ata dhe do bëjë gjithçka për suksesin e tyre. Ftojmë qytetarët të aplikojnë në këto universitete, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se do bëhet gjithçka për të kthyer në vend specialistët shqiptarë në botë. Do të bëjmë gjithçka për kthimin në vend të specialistëve shqiptarë kudo që ndodhen. E vërteta është se në disa fusha ata po sjellin kontribute shumë të mëdha. Ata kanë çelur horizonte të reja me punën e tyre.
Kuadri ligjor duhet të parashikojë detyrimin e sektorit publik për punësimin imediat të tyre, për bonuset respektove ndaj tyre.
Është e domosdoshme që të ftojmë ekspertët shqiptarë të të gjitha fushave që të rikthehen për të punuar në Shqipëri edhe duke krijuar këtu kushte analoge me ato që ushtrojnë veprimtarinë e tyre jashtë.
Ne duhet të bëjmë gjithçka, të inkurajojmë soft-in shqiptar, media e kualifikuar shqiptare të jetë sa shqiptare, aq globale, por mundësisht dhe primarisht shqiptare.
Ky proces ka mundësi shumë të mëdha. Është risi dhe zhvillim shumë pozitiv që sot në administratë dhe në shërbimin civil janë mbi 20 përqind të punonjësve të shkolluar në universitetet më të mira, tha Berisha.
Shqipëria është vend tërheqës për investimet e huaja, vend tërheqës për turizmin, ka një rrjet rrugor modern, është e përhapur teknologjia e komunikimit. Por reformat në arsim kanë qenë më të suksesshmet, por ato kërkojnë horizonte të tjera.