Shfaqja e Bodes me FMN-në, një kritikë e Fullanit dhe paralajmërimi se leku nuk do rikthehet më
Misioni i FMN-së ka përmbyllur një vizitë në vendin tonë, duke përsëritur gjërat e zakonshme e duke lënë të kuptohet se rritja ekonomike do jetë rreth 2.5 përqind. Kur të mbërrijë misioni tjetër, është e sigurt që parashikimi do jetë edhe më i zi, ashtu siç ka ndodhur zakonisht. Fakt është se në tre vitet e fundit, edhe pse rritja ekonomike është pozitive, ajo tregon se ekonomia po lëngon. Ky kryeministër e mori vendin me një rritje të admirueshme ekonomike, të cilën e mbajti për nja dy- tre vjet sa për forcë inercie dhe tani e ka zhytur tek 1 deri në 2 përqind në vit.
Ndërkohë guvernatori në largim, Ardian Fullani, i përzier në disa pazare me financat tona, tani në fund ka lëshuar një kritikë me gjysëm zëri, duke thënë se ky model ekonomik, i bazuar vetëm në marrjen e borxheve nuk e ka të gjatë. Nuk ka faj, kështu po i ndodh edhe vendit fqinj. Po ashtu të dhënat e tij për grumbullimin e pasurisë monetare vetëm tek 4 përqind e popullsisë janë një sinjal i frikshëm për hendekun ku ndodhet vendi ynë. Por nga kjo shfaqje më shumë të bie në sy qëndrimi i Ridvan Bodes, ministrit tonë të Financave, që me një nënqeshje ironike ka pranuar se kohërat e arta kur njerëzit kishin likuiditet, d.m.th para në duar, kanë ikur e nuk do kthehen më. Ka të drejtë, të gjithë e thonë se kjo qeveri ka zhdukur paratë nga qarkullimi. Ata që kanë ndonjë nëpër duar janë me fat.