Berisha: Grupe të caktuara bënë gjithçka për të penguar procesin e vizave Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një mbledhje të grupit Parlamentar Demokrat

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se marrja e vendimit të komisionerëve të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për vendin tonë është rezultati më i mirë i reformave të ndërmarra nga qeveria. “Deri para 5 vjetësh, Shqipëria ishte një vend që ngjallte frikë. Në mediat e huaja qarkullonin të dhëna tronditëse për krimin e organizuar në vend. Nuk ishte e thjeshtë eliminimi i këtyre bandave”, u shpreh ai. Më tej, Berisha vlerësoi veprimtarinë e Prokurorisë, Gjykatën e Krimeve të Rënda, Shërbimeve Inteligjente , pasi bënë të mundur që krimi të përballet me ligjin. Kreu i qeverisë tha se garanton ata që duan të bllokojnë këtë proces, se heqja e vizave do finalizohet me sukses. Duke iu referuar grevës së PS-së, Berisha tha se ajo u organizua në kohën kur pritej vendimi për vizat. “Grupe të caktuara bënë gjithçka për të penguar procesin. Greva u zgjodh në prag të një vendimi historik. Ftoj Ramën të bashkëpunojmë në procesin e integrimit të vendit”, tha kreu i ekzekutivit.