E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Heqim mesataren për pranimet në universitet

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha së bashku me ekspertë të opozitës dhe mbështetjen e Fondacionit të CDU gjermane “Konrad Adeanuer”, shpalosën sot Programin e Qeverisjes 2025-2029 për Arsimin dhe Shkencën.

Kryedemokrati theksoi angazhimin e PD për dyfishimin e rrogave të mësuesve dhe të buxhetit për arsimin.

“Shqipërinë, absolutisht do ta shndërrojmë në një model të vërtetë rajonal dhe më gjerë për sistemin e saj arsimor. Sigurisht, kjo kërkon investime. Por ne, jemi të vendosur të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Ne, jemi të vendosur të dyfishojmë rrogat e arsimtarëve. Ne jemi të vendosur, pavarësisht nga çmimi, të aplikojmë dhe të zbatojmë teknologjitë më të fundit. Transformimi i arsimit tonë, do të bazohet në transformimin digjital të këtij sistemi”, tha Berisha.

Berisha premtoi po ashtu ndryshime në sistemin e arsimit, duke hequr mesataren si kriter për pranimin në universitete dhe duke përgjysmuar tarifat e studentëve.

“Pranimet në universitete do jenë tjera, nuk është më mesatarja ajo që udhëheq, jo, do të hiqet. Sigurisht që, pranimet do të jenë transparente. Tarifat do të përgjysmohen, minimumi. Thashë edhe njëherë, minimumi do të përgjysmohen, por edhe mund të zbresin në 1/3 sipas rastit”, tha Berisha.

Sa i përket botës akademike, Berisha tha se do të respektojë lirinë akademike dhe se fondet për shkencën do të jenë 0.8% e prodhimit kombëtar.

“Nuk mund të ketë jetë akademike një vend, dhe universitete pa lirinë akademike. Fondet për shkencën do të jenë 0.8% e prodhimit kombëtar. Do dalim mbi mesataren e rajonit, me qëllim që të ecim pastaj drejt mesatares së BE-së”, tha Berisha.

Berisha theksoi se për të pasur një sistem akademik të shëndetshëm, duhet të respektohet liria akademike dhe të mundësohen kushte më të mira për kërkimin shkencor.

Kryedemokrati kritikoi po ashtu edhe shkollën e drejtorëve, ku tha se është “shkollë partie”.

“Qëllimi i saj ishte, të kualifikonte drejtorë shkollash sipas një modeli. Po ku shkon këtu modeli i Izraelit? Degraduan trupat arsimore. Portali, një mësues për Shqipërinë, një militant për partinë”, tha Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›