E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Heronjtë e kryengritjes paqësore u lanë në burg pa asnjë provë

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të lënë në “arrest me burg” pesë nga protestuesit e ndaluar të premten në mbrëmje gjatë tubimit të organizuar nga Partia Demokratike.

Në fjalën e mbajtur në foltoren e vendosur para selisë së kryeministrisë, Berisha u shpreh se ata u lanë në burg pa asnjë provë.

“Dua të shpreh mirënjohjen ndaj dhjetëra e mijëra qytetarëve që me uraganin e fuqishëm të lirisë të premten që shkoi, shndërruan zërin e shqiptarëve guximtarë në jehonën më të fuqishme botërore”, u shpreh Berisha.

Berisha shprehu mirënjohjen edhe ndaj medieve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare për pasqyrimin e protestës.

“Sonte unë kam një mirënjohje dhe përshëndetje shumë të përzemërt për heronjtë e kryengritjes paqësore të 17 prillit, Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Toçilla, Sem Bici. Ata u mbajtën sot në burg pa asnjë provë, pa asnjë fakt nga prokurorë dhe gjykatës Kapo dhe Peza, militantë të verbër partiakë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se lirimi i tyre urgjent nga burgu do të jetë beteja e PD-së.”

“Ndodh që në Europë të bëhen protesta. Ndodh në Francë, Bruksel dhe kudo. Ndodh ndonjëherë që këto protesta të jenë të dhunshme. Kemi parë pamjet dhe institucionet e dëmtuara, dyqane private që digjen, madje dhe grabiten. Por kurrë nuk janë parë në Europë pamje ku protestuesit të dhunohen ashtu siç u dhunuan qytetarët shqiptarë ditën e premte”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë që sipas tij, “protesta e të premtes, ashtu si dhe të tjerat, nuk pati asnjë përdorim dhune, asnjë ushtrim dhune nga protestuesit paqësorë”.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›