Berisha: Protesta e radhës e opozitës, proporcionale me dhunën e pajustifikuar ndaj nesh

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi sot se në protestën e radhës përgjigja e opozitës do të jetë proporcionale me dhunën e pajustifikuar që u ushtrua gjatë protestës së 17 prillit ndaj protestuesve.
Gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e vendosur para selisë së kryeministrisë, Berisha u shpreh se në 17 prilli opozita ishte në protestë kundër rritjes së çmimit të naftës dhe kundër shpopullimit të vendit.
Sipas tij, “protesta e opozitës ishte për çdo shqiptar, për ata që kanë guximin të dalin në protestë, por edhe për ata që nuk kanë guximin dhe nuk pajtohen me situatën e tmerrshme”.
“Protestonim kundër farsës elektorale. Protestonim kundër rritjes së çmimeve, varfërimit të shqiptarëve. Protestonim kundër bllokimit të drejtësisë nga Edi Rama”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se opozita ishte në protestë për pagat e ulëta, për pensionet më të ulëta në rajon dhe më qesharake.
“Ishim në protestë për apartamentet që janë ‘mollë e ndaluar’ dhe që asnjë çift nuk mund t’i blejë për të ndërtuar familjen dhe të ardhmen e tyre në këtë vend. Ne ishim në protestë për të gjithë ata të cilëve u kërcënohet kafshata e gojës. Ne ishim në protestë si zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve, që sot më shumë se kurrë po kushtron për ndihmë sepse kombi është në situatë të rrezikshme”, shtoi ai.
Kreu i PD-së theksoi se opozita ishte në protestë kundër pengesave të mëdha të integrimit në BE.
“Për këto arsye, për arsye se protestuam, për arsye se ngritëm zërin, për arsye se refuzuam frikën, ne u sulmuam shtazërisht me granata e plumba gome, me helme me spraj ariu, u goditëm, u tërhoqëm zvarrë sikur të ishim populli i shtypur i Iranit, i Sirisë apo i Irakut. Ne nuk dorëzohemi”, shtoi Berisha.