Berisha: Himara të votojë opozitën! Kreu i PD vlerëson qëndresën e Fredi Belerit përballë Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ditën e sotme ka prezantuar kandidatët ‘PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ në Himarë.
Sali Berisha shoqërohej nga eurodeputeti Fredi Beleri, ish-kandidati i PD për bashkinë e Himarës në zgjedhjet vendore dy vite më parë, i arrestuar për shitblerje votash.
Beleri fitoi zgjedhjet, por për shkak se ndodhej në burg nuk mundi të betohej si kreybashkiak i Himarës.
Së bashku me Berishën ishte dhe ish-kandidati tjetër për zgjedhjet e Himarës, Petro Gjikuria si edhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule.
Në fjalën e tij, Berisha u bëri thirrje himariotëve që të votojnë opozitën dhe vlerësoi qëndresën e Fredi Belerit.
Berisha: Askush nuk ka qëndruar ndaj të keqes siç keni qëndruar ju, himariotët. Qëndresa e Himarës është një faqe e lavdishme në historinë e njeriut, në betejën me të keqen, qëndrimin e tij të pamposhtur dhe ju të tillë keni qenë në të gjitha kohërat. Dhe ta marrë vesh Edi Rama se pushtimeve, askush nuk i ka dhënë përgjigje më të merituar se Himara dhe Himara ia dha Edi Ramës atë përgjigje që meritonte. Atë përgjigje ia dha me Fredi Belerin.
Miqtë e mi, Donald Trump në fushatën e tij elektorale u tha amerikanëve se një rrezik më i madh për amerikanët se sa fuqia e Kinës apo Rusisë është armiku i brendshëm. Çfarë ishte ky armik i brendshëm? Ky armik i brendshëm në SHBA dhe në Shqipëri ishte armiku që përdorte drejtësinë për të marrë mandatet e të zgjedhurve tuaj, pasi nuk i mundnin dot në fushë betejë, pasi bënin gjithçka që ju të mos e votonit.
Por ju e votuat dhe atëherë përdori drejtësinë e tij për t’i marrë kryetarit tuaj të zgjedhur mandatin. Bëri një kurth të vjetër të shpifur nga ato që Himara i mban mend shumë mirë se i kurdiste Sigurimi i Shtetit, vetëm e vetëm për t’i grabitur mandatin. Prokurorët dhe gjykatësit e kontrolluar prej tij, nuk e lejuan Belerin siç ishte lejuar çdo tjetër i votuar më përpara, nuk e lejuan që të vinte të bënte betimin dhe shkaku ishte vetëm një: se Beleri nuk pranoi të kandidonte për partinë e tij.
Se Beleri i tha se unë jam i djathtë dhe unë kam parimet e mia, dhe ato parime nuk putheshin kurrë me parimet e atij që kërkon t’u vjedhë tokat, të plaçkisë tokat tuaja, t’u zhbijë ju nga shtëpitë tuaja. Ndaj dhe unë e nisa fjalën time se më i keqi i të gjithë të këqijve është armiku i brendshëm që të merr lirinë, që përdor drejtësinë për dhunë politike, që dhunon të drejtat më elementare, më themelore të njeriut, pronën, votën.
PD dhe aleanca e saj janë një aleancë konservatore, e cila ka në themel të saj vlerat tradicionale të njeriut, dinjitetin njerëzor, liritë e tij, pronën, besimin tek Zoti, atdhetarinë. Ne besojmë fort se vetëm duke u bazuar në këto vlera mund të ndërtojmë Himarën Madhështore, Shqipërinë Madhështore.
Mund të ndërtojmë Himarën e ëndrrës së bukur të bijve dhe bijave të saj. Shqipërinë e ëndrrës së bukur të bijve dhe bijave të saj. Ndaj dhe jam këtu për t’u zotuar para jush se qeveria e ardhshme, paprekshmërinë e pronës, rikthimin dhe kompensimin e saj, pajisjen tuaj me dokumente, të gjitha legalizimet dhe çdo gjë që keni, do t’i ketë përparësi absolute./vizionplus.tv