Berisha: Integrimi në BE duhet të bazohet në meritë, jo në lobime korruptive

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, deklaroi se opozita mbështet procesin e integrimit europian, por theksoi se ai duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen e standardeve.
“Ne nuk votojmë kundër integrimit, sepse është çështje e shqiptarëve, por rruga duhet të jetë e bazuar në meritë”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se, sipas tij, Shqipëria duhet të përmbushë plotësisht kriteret e Bashkimit Europian dhe se procesi i integrimit nuk duhet të ndikohet nga lobime apo praktika korruptive.
Gjatë bashkëbisedimit, Berisha u ndal edhe te rezoluta e përbashkët PD–PS për integrimin, duke e cilësuar atë si një dokument që vendos theksin te detyrat dhe jo te vlerësimet për institucionet.
“Edi Rama është kryeministri më antishqiptar, është i quajtur nga analistë botërorë të famshëm gjermanë, politologë dhe analistë, si Pashiqi, si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit. Dhe e ka marrë këtë vlerësim për shërbimet e jashtëzakonshme që i ka bërë Serbisë këto 13 vite dhe kundër shqiptarëve.
Ai theksoi gjithashtu se opozita mbetet e angazhuar në mbështetjen e integrimit europian të Shqipërisë, por duke kërkuar respektimin e plotë të kritereve dhe standardeve të procesit.
“Ne Edi Ramën nuk e ndjekim kurrë. Ju e shihni, nga viti 2007 në vitin 2014 numri i shqiptarëve në Shqipëri është rritur nga viti në vit. Nga viti 2015 deri në vitin 2024, 47% e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria. Ato që ai ka bërë janë të vërteta, ato janë antishqiptare, kurse ne jo. Ne kërkojmë që ky të mos jetë një proces në lobim, por një proces në meritë dhe jo në lobim korruptiv siç e bën ai, duke paguar këtë ose atë dhe duke bërë të kundërtën e asaj që kërkohet në standardet dhe kriteret e anëtarësimit në BE”,deklaroi Berisha.
/e.xh/a.f/