E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kryengritjet tona paqësore e kanë plagosur politikisht Ramën

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët, ku u ndal në çështje të ndryshme që lidhen me zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vend.

Ai deklaroi se opozita po përballet me një sistem të kontrolluar dhe me propagandë qeveritare, ndërsa akuzoi Kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi në situatën aktuale politike.

“Sot, si për asnjë lider tjetër të Evropës, mediet e mëdha botërore kanë shpërthyer ndaj tij me epitete nga më të rëndat, duke e vlerësuar atë si një gangrenë që duhet të hiqet për vendin e tij. Pra, çdo ditë, falë kryengritjes paqësore tuaj, mospajtimit tuaj me vendimet e tij, Edi Rama damkoset sa asnjë lider tjetër në Evropë.”, u shpreh Berisha, duke theksuar se ai është politikisht i plagosur.

Sipas tij, opozita do të vijojë komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe aktivitetin politik në të gjithë vendin.

“Kryengritja paqësore e opozitës, me jehonën e saj të jashtëzakonshme ndërkombëtare, ka luajtur rol shumë të rëndësishëm si në mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve, në hedhjen poshtë të tezes raciste se shqiptarët janë të mbrujtur me korrupsion dhe nuk reagojnë, ashtu dhe me besimin dhe shpresën tek shqiptarët dhe partnerët tanë se Shqipëria ka një opozitë të fuqishme që përballet dhëmb për dhëmb me narkodiktaturën, me regjimin autoritar të Edi Ramës”, tha ai.

Gjatë diskutimit, Berisha dëgjoi shqetësimet e qytetarëve dhe ndau qëndrimet e tij mbi situatën aktuale, duke theksuar nevojën për ndryshime në qeverisje dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës.

Berisha theksoi se , “përballë të gjitha këtyre faktorëve, rol përcaktues vendimtar ka opozita, kryengritja e saj, alternativa e saj, programi i saj.Dje ne paraqitëm para shqiptarëve alternativën tonë për rendin dhe sigurinë, ku shqiptarët rezultojnë njerëzit më të pasigurt pas haitianëve”.

“Toleranca zero ndaj krimit të organizuar dhe prerja me gërshërë të çelikta të lidhjeve të krimit me politikën, ndëshkimet ligjore më të rrepta, veting i plotë, çlirim i policisë nga bandat dhe krimi dhe i gjithë administratës, si dhe konfiskimi i të gjitha pasurive, pronave dhe llogarive të krimit, do të bëjnë të mundur që Shqipëria të rivendosë shtetin ligjor, sigurinë e qytetarëve”, u shpreh Berisha.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›