Berisha: Kandidatët për minoritetin përveç Kserës, produkt pazaresh
Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se përveç kandidaturës së Spiro Kserës, kandidatët e tjerë të minoritetit për Gjirokastrën janë produkt pazaresh.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryeministri Berisha e ka cilësuar kandidaturën e Kserës, si më të mirën në zonën e minoritetit.
“Për herë të parë në 20 vjet, përveç Spiro Kserës gjithë kandidaturat e tjera për minoritetin janë produkt pazaresh. Ftoj minoritetin të mbajnë shënim këtë situatë. Nuk mund ti tregtojnë ato për interesa partiake të liderëve të paritvetë vetëquajtura opozitare, se opozitë nuk janë, të paktën dy partitë kryesore, jo PBDNJ” tha kryeministri.
Gjithashtu Berisha theksoi se qeveria ka investuar 15 herë më shumë sesa qeverisja paraardhëse në qarkun e Gjirokastrës ndërsa nuk ka lënë pa sulmuar edhe kryebashkiakët socialistë.
“Qeveria ka investuar 12 milionë euro në Gjirokastrën monumentale. Gjirokastra turistike është një nga objektivat. Ne kemi investuar në Gjirokastër në këto vite 15 herë më shumë se qeveria e mëparshme. Ne trefishojmë grantet për qeverisjen vendore, ato trefishojnë punonjësit e partisë brenda bashkive. Kreu i Bashkisë së Gjirokastrës të pranojë standardet e qeverisë së vogël dhe do ketë grantet e nevojshme”tha Berisha.
Kryeministri Sali theksoi më tej se majta ka trguar se është gjenerator i krizës ekonomike duke iu referuar edhe shtetit grek.
Jo vetëm që sollën krizën nga lakmia e tmerrshme e shpenzimeve por e përkeqësuan atë. Ku është sot e majta greke, njeriu që i shkrujati Edi Ramës programin e PS-së tha kryeministri.
I pyetur në lidhje me kërkesën për miratimin e 3 ligjeve në Kuvend, kryeministri Berisha theksoi se nëse kjo është një kërkesë serioze është i gatshëm që ta mbledhë Parlamentin që nesër.
“Nëse Rama e ka seriozisht këtë zotim solem, Parlamenti mblidhet që nesër. I kërkoj Ramës të votojmë amnistinë që do bënim për 100-vjetorin e pavarësisë. Jo nuk është kusht për të votuar 3 ligjet por ta bëjmë në mbështetje të biznesit. Amnistia kërkon 3/5 dhe ai nuk e pranoi që ta votojë. Unë premtoj se nuk do të përfshijë asnjë politikan në mënyrë kategorike. Uroj që këtë mesazh ta shqyrtojë me seriozitet sepse biznesi e meriton plotësisht këtë. Vendet e qytetëruar e aplikojnë amnistinë. Shteti dënon, shteti fal. Sa për tre ligjet ia ka mbushur mendjen zoti Meta se pas kërkesës së Nasipit ai thotë vetëm ato që i thotë Meta. Ai mund të bëhet kryetar i PS-së se kryeministër jam vetë. Unë do ti kërkoj kryetares së parlamentit që të ngrihemi dhe ti votojmë që nesër” tha kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se kryesocialisti Rama duhet t`u kërkojë të falur shqiptarëve për dëmin kolosal që ka bërë duke mos miratuar 3 ligjet e integrimit.
“Rama duhet ti kërkojë 200 herë të falur shqiptarëve që nuk i votoi duke u bërë një dëm kolosal, duke privuar vendin nga një pasaportë dinjiteti si dhe nga qindra euro grante nga KE për fermerët” tha kryeministri.