E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kandidatët për zgjedhjet lokale do t’i nxjerrim para fundit të vitit

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se PD do t’i publikojë emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokala pra fundit të këtij viti.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha u shpreh “të garantoj që do arrijmë t’i nxjerrim plotësisht. Do arrijmë t’i nxjerrim para fundit të këtij viti”.

I pyetur për protestën e paralajmëruar të opozitës më 8 maj, Berisha theksoi se strategjia e opozitës do të jetë “qëndresa”, pavarësisht ndërhyrjeve të mundshme nga policia. Sipas tij, mbështetja qytetare dhe ajo ndërkombëtare ndaj protestave është rritur.

“Strategjia do jetë qëndresë, qëndresë dhe ne mbetemi të pamposhtur. Asgjë nuk na mposht ne. Ne në Shqipëri kemi fituar besim të madh te shqiptarët, por kemi fituar besim te komuniteti ndërkombëtar. U them ju që ka një vlerësim jashtëzakonisht të madh për qëndresën e shqiptarëve për protestat”, tha ai.

Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë, për kapje të institucioneve dhe të sistemit të drejtësisë si dhe për mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Ai theksoi se protestat do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë deri në largimin e qeverisë, duke shtuar se opozita “nuk pajtohet me këtë regjim” dhe do të bëjë gjithçka për rikthimin e funksionimit normal të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vend.

“Unë besoj se ju nuk prisni që gjykatës dhe prokurorë të dalin rrugëve të protestojnë ndaj akteve të Edi Ramës. Nuk prisni gjithashtu që komuniteti ndërkombëtar të sjellë polici apo ushtri për të larguar Edi Ramën pse ai nuk dëgjoi deklaratat e tyre. Kjo do të thotë që ne të protestojmë, të protestojmë, të protestojmë në mënyrë të vazhdueshme.

“Të gjithë ata që e konsiderojnë jetike për vendin votën e lirë, që konsiderojnë jetike për vendin funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe ndarjen e pushteteve, duhet të jenë të gatshëm në çdo kohë të protestojnë kundër këtij regjimi gjer në largimin e tij. Ndaj dhe ne qëndrojmë në këmbë. Qëndrojmë dëshmitarë së dyti se nuk pajtohemi kurrë me këtë regjim dhe do bëjmë gjithçka për largimin e tij”, tha Berisha.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›