Berisha: Këtë javë nisim foltoret në të gjithë vendin

TIRANË, 29 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët, përmes rrjeteve sociale. Gjatë fjalës së tij Berisha bëri të ditur se këtë javë PD fillon foltoret në të gjithë vendin.
“Këtë javë fillojmë foltoret jashtë Tirane dhe do të vazhdojmë në të gjithë vendin”, tha Berisha.
Berisha theksoi ndër të tjera se “narkoshteti dhe droga, provohen armiqtë tanë më të egër në histori”.
Ai tha se “në një afat kohor 10-vjeçar janë larguar nga Shqipëria rreth 45% e popullatës. Sipas OKB-së kemi lindshmërinë që kemi patur 100 vite më parë dhe kemi lindshmërinë më të ulët në botë. Nga viti 2018 në Shqipëri dominojnë thellësisht vdekjet më shumë se lindjet”.
Sipas Berishës, me këtë ritëm “ne ecim të sigurt drejt asgjësimit tonë kombëtar, drejt boshatisjes së këtij vendi”.
Berisha u ndal edhe tek ankimimi i qeverisë në Kushtetuese për vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku.
“Për herë të parë në historinë e Europës dhe të vendeve të lira, një kryeministër padit gjykatën që pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren hajdute, e padit në Gjykatë Kushtetuese. E vërteta është se pezullimi nuk është i shpeshtë në Evropë, sepse sapo ngrihet një akuzë, i akuzuari jep dorëheqjen dhe pret sqarimin nga drejtësia të problemit. Kurse në Shqipëri jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por merr mbështetjen e kryeministrit për të paditur në Gjykatë Kushtetuese”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe mesazhin e urimit të sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, për Pavarësinë e Shqipërisë.
“Mendoj se mesazhi i urimit të sekretarit Rubio dhe i presidentit Trump, prek apo trajton problemin më themelor që kemi sot ne si komb apo si vend: drogën, krimin dhe luftën kundër tyre. Kjo përbën një inkurajim në përpjekjen tonë të madhe për të shpëtuar shqiptarët nga ky regjim i bazuar në drogën dhe krimin”, tha Berisha.
/m.q/r.e/ /a.g/