Berisha: Kjo është një nga fushatat më të bukura në memorien time

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike dhe kreu i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Sali Berisha në një intervistë televizive u shpreh se kjo fushatë është ndër fushatat më të bukura në memorien e tij.
Sipas Berishës, kjo fushatë karakterizohet nga frymë shprese dhe optimizmi.
“Fushatat do i gruponim në dy grupe, ato që bën kur je në qeveri dhe ato që bën kur je në opozitë. Në këtë aspekt, kjo është një nga fushatat më të bukura në memorien time, sepse këtu ti takon njerëz të lirë që mbushin sheshet, mbushin sallat dhe derdhin të gjithë entuziazmin e tyre dhe energjinë pozitive në funksion të fushatës. Fillimisht unë këtë e pash në diasporë dhe mendova që ky entuziazëm e optimizëm vjen se ata kanë qenë të shkëputur, por më pas ky entuziazëm dhe optimizëm vërshoi dhe në të gjitha takimet që unë kam bërë nga jugu në veri të Shqipërisë.
Është një fushatë e cila karakterizohet nga një frymë shprese dhe optimizmi, karakterizohet nga një mbështetje e fuqishme dhe e gjerë, ndërkohë që krahu tjetër i vendos karriget dhe numëron punonjësit që kanë firmosur për të shkuar, këta janë njerëz të lirë që mbështesin Partinë Demokratike. Ndaj është një nga fushatat më të bukura në memorien time”, tha Berisha në Euronews.
/a.f/