Vihet nën hetim për shpifje kandidati i PD–ASHM në Lezhë, Gjin Gjoni

Kandidati i koalicionit PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore në Lezhë, Gjin Gjoni, po hetohet në gjendje të lirë nën akuzën e “shpifjes”. Gjoni u denoncua nga Partia Socialiste për akuzat e artikuluara prej tij në rrjetet sociale ndaj përfaqësuesve dhe simpatizantëve të PS si të përfshirë në blerje votash.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpifja”, për shtetasin Gj. Gj., 55 vjeç, banues në Lezhë, kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi kanë kallëzuar shtetasit D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N. (përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste”), se 55-vjeçari ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një postim, nëpërmjet të cilit shpif se 5 shtetasit janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Fushata zgjedhore në qarkun e Lezhës është shoqëruar me tensione dhe akuza të forta mes dy kampeve të mëdha politike. Kreu i Bashkisë, Pjerin Ndreu akuzoi sot (6 maj) PD-në se mbështetës të tyre, që kryebashkiaku i referohet si “banda” i kanë bllokuar rrugën zv.kryetarit të bashkisë Fatjon Zefit dhe kryetarit të PS Kolsh, Andi Markut.
/rtsh.al/