E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Konsolidim i autoritetit rregullator per lirine e tregut dhe mbrojtjen e konsumatoreve

“Konsolidimi i Autoritetit Rregullator te sektorit financiar mbi baza të forta ligjore është rruga më e mirë për lirinë e tregut dhe mbrojtjen e interesave të kosnumatorëve shqiptarë”. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha në koferencën për Pavarësinë e Autoritetit Rregullator të sektorit financiar.
Në fjalën e tij shefi i qeverisë theksoi se Autoriteti Rregullator ia ka dalë në interesin më të mirë të konsumatorëve e tregjeve të lira, të konkurojë në zhvillimin e tyre si kusht i rëndësishëm i tregut dhe vendit në tërësi, por që në aktivitetin e vet autoriteti ka ndeshur dhe ndesh vështirësi të shumta.

Duke e konsideruar pavarësinë e enteve rregullatore vendimtare, Berisha tha se është e domosdoshme përshtatja e një sistemi të ri të sigurimeve për edukimin dhe kulturën financiare.
“Është e domosdoshme përshtatja e një sistemi të ri të sigurimeve në tërësi në përpjekje të madhe për edukimin dhe kulturën financiare. Nuk ka mëdyshje se pavarësia e enteve rregullatore përbën kushtin më vendimtar të përmbushjes së misionit. Kjo pavarësi është natyrisht përgjegjshmëria më e madhe e tyre ndaj ligjit, tregut dhe konsumatorit”- u shpreh kryeministri.

Duke iu referuar krizës financiare botërore Berisha tha se leksioni më i madh i saj është zbatimi rigoroz i pavarësisë së këtyre institucioneve, jashtë çdo ndërhyrje, për të garantuar konkurencën e lirë në këto tregje delikate, por jetike për një shoqëri të lirë.

“Por kriza e fundit financiare botërore dëshmon se sistemet rregullatore falimentuan. Ç’ishte kjo krizë në rrafshin rregullator? Në rrafshin rregullator ajo ishte kolaps, ndaj edhe leksioni i madh i krizës është pavarësia më e madhe e këtyre institucioneve, është zbatimi rigoroz jashtë cdo ndërhyrje “- vijoi ai.
Gjatë fjalës së tij Berisha vlerësoi modelin e qeverisjes së vogël, ndërkohë që garantoi se ligjet e hartuara do kalojnë në kohë të shkurtër në qeveri dhe parlament dhe brenda konceptit të qeverisjes së vogël.
Ai theksoi rëndësinë e pavarësisë së këtij autoriteti, duke mbajtur larg përfshirjen e politikës.
“Nuk mundet politika të marrë funksione rregullatore se sa herë i ka marrë përsipër i ka përkeqësuar edhe më shumë”- shtoi ai.

Po ashtu, kryeministri Berisha u ndal edhe në reformën e pensioneve, duke theksuar faktin se miratimi i saj mbahet peng nga opozita.
“Reforma e pensioneve është përgatitur dhe ne jemi të hapur, ne kemi ligjin dhe të gjitha vendimet për shtyllën e tretë, funksionimin e saj, por ka një hezitim që kapërcehet përmes stimujsh e praktikash që duhet të instalohen. Ref e pensioneve ka 2-3 vjet në sirtar se opozita refuzon, ndonëse ka pranuar tekstin ta votojë. Por kjo është një reformë që duhet të qëndrojë në fuqi shumë dekada”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›