E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Kontrata e lobimit nuk ka lidhje me zgjedhjet. Rezoluta e PPE-së damkosi Ramën

Rezoluta e miratuar nga Kongresi i Partive Popullore Evropiane në Valencia të Spanjës, si dhe kontrata e lobimit, kanë qenë në fokus të një konference shtypi të zhvilluar të enjten nga kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Kontrata e lobimit

Kryetari i Partisë Demokratike, gjatë konferencës për shtyp, u pyet për kontratën e lobimit me SHBA-në.

“Kontrata ka një nen, sipas të cilit, palët në çdo rrethanë që ta konsiderojnë të dobishme për veten e tyre ndërpresin kontratën. As mund të flasësh për 6 mln, as për 100 apo 200 mijë. Kontrata është sipas kërkesave të palëve”, tha Berisha.

Sipas tij, kjo kontratë nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet.

“Kjo kontratë ka një qëllim tjetër. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA, paraqitjen e realitetit shqiptar me të gjithë problematikat e mëdha të tij para administratës së SHBA Nuk do ndodhë më që pa u numëruar kutia e fundit Rama të urohet. Bashkëpunimi i Ramës me bandat e krimit është rrezik jo vetëm për rajonin, Evropën, por edhe për SHBA. Ne besojmë se çështja McGionigal është një varr i hapur dhe duhet të mbyllet. Është marrë një avokat nga më të shquarit e asaj toke që ka për detyrë avokatin e kauzave të PD pranë administratës së Donald Trump. Nuk ka të bëjë me zgjedhjet. Ka një nen, neni 21 i ligjit të partive politik. Autorizon partitë të marrin ndihma, mbështetje financiare nga forcat e tjera politike, organizata dhe fondacione. Pra kontrata është 100% e bazuar në ligj. Një gjë është e sigurt që populli opozitar nuk ka më kauzë jetime. Në atë vend të madh ajo kauzë ka një avokat të madh. Kjo kontratë, me avokatin numër një, ka synim mbrojtjen e kauzave të popullit opozitar nga një narkodiktator. Nuk është si historia e gruas së Bilalit, është transparente, e financuar nga patriotë shqiptarë”, deklaroi Berisha.

Rezoluta e PPE-së

Sipas Berishës, rezoluta e PPE-së e damkosi Edi Ramën si varrosësin e fjalës së lirë, duke përmendur si shembull për këtë mbylljen e Tik-Tokut dhe kapjen e drejtësisë.

“Në Valencia, kongresi i PPE, që grumbullon 82 parti të qendrës së djathtë të kontinentit evropian, të cilat udhëheqin Komisionin dhe Parlamentin Evropian, dhe qeverisin Gjermaninë dhe Austrinë, si dhe janë kryeministra në 12 vende të tjera, miratoi rezolutën emergjente numër 4, vetëm një javë përpara zgjedhjeve në Shqipëri, kushtuar integritetit të procesit elektoral në Shqipëri. Kjo rezolutë, e cila u miratua pa asnjë votë kundër, në unanimitet të plotë, damkosi në mënyrë përfundimtare Edi Ramën si armik i votës së lirë në kontinentin Evropian, e rreshtoi atë krahas Lukashenkos dhe ndonjë diktatori tjetër.”, tha Berisha.

Sipas tij, rezoluta denoncon haptas Edi Ramën dhe regjimin e tij se: -Po minon zgjedhjet nga manipulimi dhe keqpërdorimi i pushtetit; Po shtyp pluralizmin politik përmes presionit institucional dhe se po shtyp opozitën dhe liderët e saj, anëtarë të parlamentit dhe qeveritarë vendorë të opozitës; -Dënon kontrollin qeveritar mbi mediat dhe mbylljen nga Edi Rama të TikTokut; -Denoncon mosrespektimin e shtetit ligjor, kapjen e shtetit ligjor, çka ka sjellë, thekson rezoluta, pandëshkueshmëri.

“Në rezolutë dënohen gjithashtu me forcë të madhe dhe haptas keqpërdorimi i vazhdueshëm i pushtetit shtetëror. Shteti elektoral, d.m.th përdorimi i burimeve shtetërore për zgjedhje si: blerja me lekë e votës; blerja e votës me kanabis; blerja e votës me punësime; blerja e votës me prokurime; blerja e të drejtës së votës, dhunimi i votës dhe fshehtësisë së saj”, tha Berisha. .

Sipas tij, Evropa e tërë qëndron pas shqiptarëve dhe të drejtës për të votuar si qytetarë të lirë.

“Denoncohet censurimi i opozitës. Jo vetëm kaq, por edhe censurimi i Evropës nga Edi Rama. Këtë rezolutë, shqiptarëve nuk ua lexuan mediat kryesore të kontrolluar nga Edi Rama. Denoncon kërcënimin dhe ndjekjen penale të kandidatëve të opozitës. Mosndëshkimin e krimit zgjedhor. Pra, Evropa e qendrës së djathtë, denoncon haptas mosndëshkimin e krimit zgjedhor në Shqipëri. Dhunimin e kodit zgjedhor. Por denoncon zëvendësimin e paligjshëm të Erion Veliajt për të përdorur burimet e bashkisë me qëllime elektorale.”, tha Berisha.

Sipas tij, rezoluta dënon edhe moszbatimin e vazhdueshëm nga Edi Rama të rekomandimeve të OSBE/ODIHR; përdorimin e administratës në fushatë zgjedhore; përdorimin e lidhjeve politike me krimin për të rrëmbyer votat e qytetarëve; emërimet politike në organet e zbatimit të ligjit dhe në drejtësi, që janë të zakonshme në Shqipëri.

Sipas tij, PPE në rezolutën numër 4 të votuar me emergjencë dje, i bën thirrje për veprim BE, OSBE-së, KiE dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare demokratike të ndalojnë çdo lloj keqpërdorimi të pushtetit shtetëror.

“Kërkon që zyra e prokurorisë të hetojë në mënyrë të plotë dhe në kohë para zgjedhjeve të gjitha akuzat që lidhen me krimet zgjedhore dhe të sjellë autorët para drejtësisë. E kuptoni vetë, Edi Ramën, Ulsi Manjën, etj., me radhë. Të sigurojë qasje të barabartë në media për të gjithë aktorët politikë dhe të ruajë mbikëqyrjen e pavarur zgjedhore. PPE gjithashtu u bën thirrje institucioneve evropiane, OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Evropës të dërgojnë vëzhgues të tjerë afatgjatë në bashkitë me rrezik të lartë. Të dokumentojë dhe denoncojnë publikisht abuzimet zgjedhore në raportet përfundimtare. Të aplikojnë mekanizmat e kushtëzimit brenda procesit të anëtarësimit në BE, pra kredencialet e Edi Ramës u dogjën përfundimisht, nëse shkeljet vazhdojnë. Rezoluta përfundon: PPE do monitorojë nga afër me kujdes zhvillimet në Shqipëri.”, tha Berisha.

Sipas tij, rezoluta e votuar nga CDU, partia e kancelarit Merz dhe 82 parti të tjera, anëtare të PPE, vjen si diamant në kurorë të tre rezolutave të tjera dhe se Shqipëria bëhet vendi i vetëm që në harkun kohor 6-mujor, komuniteti ndërkombëtar lëshon 4 rezoluta për ndëshkimin e Edi Ramës.

“Pra, siç e shihni, Edi Rama është ‘delja e zezë’ e Evropës në raport me zgjedhjet dhe drogën. De facto Edi Rama është sot ‘delja e zezë’ e Evropës. Ai, siç i quajti këto broçkulla, por këto janë të vërteta të cilat në mënyrë absolutisht nuk do i kapërdijë asnjë shqiptar dhe asnjë evropian. Pra, ky është Edi Rama, 8 ditë para zgjedhjeve. I nxirë siç është.”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›