E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Kriminelët elektoralë do të marrin ndëshkimin e merituar pas 12 majit

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në qytetin e Durrësit.

Në fjalën e tij Berisha tha se kandidatët për deputetë të PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, të qarkut të Durrësit janë “krenari e vërtetë e PD, krenari e vërtetë e qytetarëve të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë”.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Berisha tha se kandidatët e PD-së “janë një grup qytetarësh midis jush, që ju përfaqësojnë ju, përfaqësojnë moralin tuaj, vlerat tuaja, interesat tuaja, virtytet tuaja”.

Nga ana tjetër kandidatët e Partisë Socialiste, Berisha i cilësoi si “kandidatë të terroristëve elektoralë”, ku shtoi se kriminelët elektoralë “do marrin ndëshkimin më të merituar pas datës 12 maj”.

Berisha shtoi se “11 maji është një ditë e madhe në betejën e shqiptarëve për dinjitet njerëzor, në betejën e shqiptarëve për mirëqenie, begati dhe punësim”.

Berisha nënvizoi më tej se “Durrësi i shekujve dhe mijëvjeçarëve, Durrësi i qytetarëve të mrekullueshëm, kryeurë e kombit me Perëndimin, kam bindjen më të thellë se me 12 Maj gdhin i tëri siç është në shpirt, fitimtar, virtuoz, i pamposhtur”.

“Më 11 maj, ne ndahemi nga një lëngatë. Nga një e keqe që kaploi Durrësin dhe Shqipërinë, që i varfëroi nga viti në vit shqiptarët dhe që i largoi ata nga Shqipëria”, tha Berisha.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›