E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kruja dhe Fushë-Kruja duhet të jenë bashki të veçanta

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha garantoi sot se PD nuk do ta ndërpresë kurrë përpjekjen që Fushë-Kruja dhe Kruja të jenë bashki të veçanta.

Gjatë punimeve të Kuvendit të PD-së, Dega Krujë, Berisha u ndal te ndarja e re territoriale, ndërsa u shpreh se Foltorja e parë e Ripërtëritjes po mbahet në Krujë.

“Unë i garantoj qytetarët e Fushë-Krujës se kurrë nuk do ndërpresim përpjekjen tonë që Fushë Kruja të jetë bashki e veçantë dhe Kruja bashki e veçantë. Krujën e ka bërë Zoti kryeqendër, nuk ka nevojë për asnjë qendër tjetër. Dhe ajo rri më vete bashki krenare”, u shpreh ai.

Duke folur për situatën ekonomike dhe problematikat me të cilat përballen sot qytetarët shqiptarë, Berisha u shpreh se “në 10 vite, 47 për qind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria”.

“Kjo për shkak të shndërrimit të financave tuaja, të taksave që paguani jo në rroga, jo në pensione, jo në infrastrukturë, jo në shërbime, spitale e shkolla, por në llogari bankare të fshehura në bankat offshore. Asnjë pushtues i egër nuk është sjellë si ky ndaj pasurive publike të këtij vendi dhe fondeve”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, çmimet e ushqimeve u rritën në Shqipëri nga vjet në sivjet 6 herë më shumë se në Romë, në Berlin dhe në vendet e BE-së.

“Asnjë qindarkë nuk ul taksën e ushqimeve. Ua hoqi fermerëve kompensimin për naftën, e cila në Shqipëri shitet 40 gjer në 50 për qind më shtrenjtë se në Kosovë dhe në Maqedoni”, tha Berisha, duke shtuar se Shqipëria pret sot më shumë se kurrë ndryshimin.

Po ashtu Berisha theksoi se ripërtëritja e PD-së është jetike, pasi ajo nuk vjen në pushtet për lavdinë e shkuar, por për vizionin për të ardhmen.

“PD duhet të vijë në pushtet si forca politike më e organizuar, më e modernizuar. Dhe në këtë kuadër, besoj se shembulli është dhënë këtu në këtë degë. Seksionet janë mbledhur, kanë zgjedhur kryetarët. Jemi parti e madhe, një parti e cila në kushtet më të vështira u paraqitën në kutitë e votimit mbi 40 mijë anëtarë”, shtoi ai.

Por, theksoi Berisha, PD duhet të jetë në kontakt të vazhdueshëm dhe të pandërprerë me qytetarin.

“Na duhet një mobilizim i madh, na duhet një ripërtëritje. Duhet të zgjerojmë radhët tona me vlerat më të çmuara të komunitetit. Duhet të respektojmë, të angazhojmë dhe mobilizojmë të gjithë trashëgiminë tonë. Ripërtëritja parashikon si kusht të domosdoshëm modernizimin, dixhitalizimin dhe vizionin me të cilin PD do u përgjigjet me emergjencë problemeve më therëse të qytetarëve shqiptarë”, theksoi më tej kreu i PD.

Sipas tij, “këto probleme janë në radhë të parë të ardhurat e tyre, pagat, pensionet”.

“Është minimumi jetik, dyfishimi i rrogave, dyfishimi i pensioneve, transformimi i shërbimeve, shtypja me zero tolerancë e krimit të organizuar”, tha Berisha.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›