Berisha: Kur çdo demokrat të ndihet luftëtar, ditët e këtij regjimi shkurtohen

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Në një aktivitet të organizuar në selinë e Partisë Demokratike u prezantua sot libri “Lule Bore – Manifest Politik” i autorit Andi Mustafaj.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Berisha vlerësoi fillimisht kontributin e Andi Mustafajit si themelues dhe drejtues i departamentit të Brain Gain-it në PD.
“Andi Mustafaj dhe bashkëpunëtorët e tij u bashkuan me Partinë Demokratike në ditët e saj më të vështira. U bashkuan me Partinë Demokratike në një kohë kur, projekte të mëdha ndërmerreshin për Shqipërinë pa opozitë. U bashkuan me një guxim, por dhe me plot ide, aktivitete, dhe bënë gjithçka që dhe në ditët më të vështira të kësaj partie, të dëgjoheshin boritë e shpresës”, tha Berisha.
Duke folur mbi librin e Andi Mustafajit, Berisha u shpreh se ai është një manifest jashtëzakonisht i duhur në kushtet e diktaturës autokratike.
“Problemi është se diskutohet për një realitet që nuk ekziston, sepse krahasohet me realitetin e pluralizmit normal demokratik. Çdo njeri, çdo anëtar i thjeshtë, çdo drejtues, mund të ketë sukses vetëm kur realizon se cili është realiteti në të cilin operon. Dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme të njohim realitetin në të cilin operojmë”, shtoi Berisha.
Më tej Berisha tha se, “sot jemi në kushte vërtet të veçanta, në kushte në të cilat mund të bëjmë shumë më tepër. Nuk është se s’po bëjmë, por Partia Demokratike ka nevojë të ngjitet në nivele shumë më të larta dhe të bëjë, dhe ka potenciale për të bërë shumë më tepër.
“Duhet të pranojmë se jemi në diktaturë autoritare dhe se s’ka mision më të shenjtë sesa lufta kundër saj. Kur një demokrat të ndihet luftëtar dhe kur çdo demokrat të ndihet luftëtar absolutisht ditët e këtij regjimi shkurtohen me shpejtësi”, theksoi Berisha.
“Ndaj dhe ajo çka unë do t’ju sugjeroja që ta lexoni këtë vepër, është e shkruajtur shumë bukur, është e shkruajtur me shumë ndjenjë dhe përgjegjësi.Është e shkruajtur me përgjegjësi. Dhe me një analizë të shkëlqyer të realitetit të sotëm. Duhet do ndihmojë çdo qytetar, çdo njeri të lexojë se cili është realiteti në të cilin ai jeton”, përfundoi Berisha.
/m.m/r.e/a.f/