E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Reformës Territoriale, seancë dëgjimore në Dibër

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot një seancë dëgjimore në qarkun e Dibrës, ku morën pjesë kryebashkiakët dhe deputetë të qarkut, ekspertë të fushës dhe qytetarë të interesuar.

Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të procesit të konsultimeve për riorganizimin administrativo-territorial.

Bashkëkryetari i Komisionit, deputeti i PS-së Arbjan Mazniku, gjatë fjalës së tij u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment historik të procesit të integrimit, ku pushteti vendor dhe Reforma Territoriale po marrin një rol kyç në përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

“Na duhet një eficiencë më e lartë e bashkive në ushtrimin e kompetencave që u jep ligji, pasi sot një pjesë e tyre nuk arrijnë t’i zbatojnë plotësisht. Së dyti, përballemi me sfidën demografike të lëvizjes së vazhdueshme të popullsisë nga periferia drejt qendrave urbane, ku pjesa më e madhe e qytetarëve janë të përqendruar në qytetet e mëdha, çka kërkon një pushtet vendor të përshtatur me këtë realitet të ri. Së treti, duhet të garantojmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të njëtrajtshëm në të gjithë territorin, duke zbehur diferencat dhe duke ndërtuar njësi vendore më të balancuara dhe më të forta”, u shpreh Mazniku.

Bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Luçiano Boçi, gjatë fjalës së tij mbrojti nevojën për rritje të kompetencave dhe autonomisë financiare të pushtetit vendor, forcimin e qarqeve dhe bashkëpunimin ndërbashkiak.

“Reforma territoriale nuk është pronë e qeverisë, por pronë e qytetarëve. Nëse realizojmë një reformë pa konsultuar qytetarët, atëherë kemi një reformë pa taban, si ajo e vitit 2014. Mendoj që dëgjesat janë institucione shumë demokratike dhe shumë pozitive. Sot jemi në një reformë të re pas 12 vitesh dhe duket sikur jetojmë në një regjim reformash të pafundme. Duam bashkëpunim mes bashkive. Një bashki e fortë duhet të ndihmojë një bashki më të dobët. Duam të forcojmë qarqet dhe t’u japim kompetenca reale, sepse kështu mund të zgjidhim problemin e shërbimeve dhe decentralizimit”, u shpreh Boçi.

Mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale u zhvillua rreth tri shtyllave kryesore.

Shtylla e parë u fokusua tek funksionet, shërbimet dhe kompetencat e pushtetit vendor. Vëmendja u përqendrua te rritja e efikasitetit të shërbimeve dhe ndarja e qartë e përgjegjësive ligjore dhe institucionale mes qeverisë qendrore dhe bashkive.

Shtylla e dytë trajtoi territorin dhe qeverisjen, ku diskutimet u ndalën te nevoja reale për një konfigurim apo riorganizim të mundshëm të njësive të qeverisjes vendore.

Ndërsa në pikën e tretë u diskutua për sfidat e financimit, një nga shtyllat më të rëndësishme të reformës. Diskutimet u përqendruan tek sfidat buxhetore, me synim gjetjen e mekanizmave që garantojnë pavarësi dhe qëndrueshmëri afatgjatë ekonomike për bashkitë.

Pasi u dëgjuan komentet dhe sugjerimet shtesë të pjesëmarrësve, bashkëkryetarët e komisionit piketuan çështjet që do të trajtohen me përparësi duke qartësuar kështu strategjinë se si do të vijohet më tej.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›