E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Kur kreu i opozitës burgoset pa asnjë akuzë dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë!

Ndërsa pritet që GJKKO të vendosë për masat kundër Sali Berishës, ky i fundit udhëhoqi protestën e grupimit të Rithemelimit para  Gjykatës së Lartë ku po zhvillohet seanca për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

Si edhe më para zoti Berisha ka akuzuar mazhorancën se ka shkelur Kushtetutën duke kërkuar arrestimin e tij.  “Pse duhet kyçur në shtëpi pa asnjë dokument, fakt apo provë Sali Berisha? Vetëm e vetëm pse i ka kallur tmerrin, datën, monstrës së pluralizmit, bastardit të xhelatëve të diktaturës komuniste, Edi Ramës” pyeti dhe u përgjigj vetë zoti Bersha.

Në fokusin e sulmit të tij ishte kreu i qeverisë dhe i mazhorancës Edi Rama, i cili sipas Berishës po i përdor gjykatat si armë kundra opozitës. “Kur gjykatat përdoren si armë kundër opozitës, kjo është diktaturë.

Kur partisë më të madhe i konfiskohet haptas logoja dhe vula, kjo është diktaturë.

Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që dihet botërisht se është peng i Edi Ramës, kjo është diktaturë.

Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë” ishin disa deklarata të njëpasnjëshme të kreut të Rithemelimit Sali Berisha.

“Për të gjitha këto, kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre. A do e fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po” tha zoti Berisha, para disa dhjetëra përkrahësve të tij, para Gjykatës së Lartë.

/rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›