E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kushtet e PS-së janë të parealizueshme

Gjatë konferencës ku prezantoi kabinetin e tij të ri qeverisës, Kryeministri i rimandatuar, Sali Berisha, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve deklaroi se kushtet e vendosura nga PS-ja për t'u rifutur në Kuvend, nuk mund të plotësohen, pasi kërkojnë të cenohen vendimet e drejtësisë për zgjedhjet.


Zoti Kryeministër, shihet një përfaqësim i dobët i grave në qeverinë tuaj, keni vetëm një zonjë?
Ky është vetëm një fillim dhe le ta marrim si një fillim. Vërejtja juaj qëndron.


Zoti Berisha, është publikuar sot një letër e disa analistëve që ka të bëjë me zotin Mediu, propozimi i PR-së për ministër Mjedisi në kabinetin tuaj. Si e keni pritur këtë vërejtje të analistëve për përfshirjen e Mediut në kabinet, kur ende është një proces i hapur për të? A ka qenë kjo çështje temë bisede mes jush dhe zotit Mediu?
Unë kam një marrëveshje me Partinë Republikane, që do ta bënim fushatën bashkë si aleatë dhe do të qeverisim pas zgjedhjeve. Kjo është marrëveshja që kanë dy forcat politike. Së dyti, jam shprehur publikisht se unë nuk do të diktoj, por do të respektoj vendimet e forumeve të Partisë Republikane. Unë për zonjën Godo kam pasur dhe kam respektin më të palëkundur. Dua ta falënderoj shumë për punën e madhe që ajo ka bërë. E vetmja gjë që s'mund të bëja unë ishte që t'i diktoja PR-së emrin e personit që do të sillte si propozim në qeveri. Lidhur me zotin Mediu, ka pasur një akuzë siç ju jeni në dijeni, fillimisht për korrupsion, nuk thuhej për korrupsion, por thuhej se ka spostuar dhe anashkaluar ushtarakët. Kjo akuzë, në finalizim, ra. Ka një akuzë për shpërdorim detyre. Së pari, unë ju garantoj se kjo qeveri dhe kjo mazhorancë do të zbatojë çdo vendim të drejtësisë. Së dyti, dua të jem shumë i qartë, për qeverinë time dhe mazhorancën time, imuniteti nuk ekziston. E kemi faktuar këtë gjë mandatin e kaluar, por ky standard është i gjithëfuqishëm edhe gjatë këtij mandati. Mendoj se paragjykimi nuk i shërben askujt. Ky është mendimi im. Një akuzë e madhe ra nga vetë ata që e nisën. Mazhoranca ime është e hapur, jo vetëm në rastin e zotit Mediu, por në çdo rast, nuk ka dhe nuk do të ketë as pengesën më të vogël, institucioni i akuzës apo sistemi gjyqësor, për të trajtuar problematikat që lidhen me zyrtarët e kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance.


Kur e keni vendosur përbërjen e kësaj qeverie që publikuat?
Kjo është një qeveri si rezultat i konsultimeve të gjata, dymujore. Madje mund t'ju them, meqenëse keni kureshtje, edhe deri para pak minuta para se të vija këtu në konferencë. Unë jam konsultuar me bashkëpunëtorët e mi, jam konsultuar me aleatët e mi, jam konsultuar gjerësisht. Natyrisht, nuk mund të them se jam konsultuar me ata që janë në konflikt interesi me konsultimin, sepse kjo besoj se nuk është etike, sepse e prish konsultimin. Por nuk kam marrë kurrë mendime më të gjera se kësaj radhe, për ndërtimin e një kabineti qeveritar.


Ju thatë se nuk mund ta keni arritur përsosmërinë në ndërtimin e këtij kabineti, a i referoheni ndonjë pakënaqësie të mundshme të krijuar për shkak të lëvizjes së disa emrave, largimit të disa të tjerëve? Kam parasysh edhe deklarimet tuaja të herëpashershme që kërkonit mirëkuptimin e kabinetit.
Po të mos isha i rrymës së qeverisë së vogël, unë kam 40-50 deputetë që mund t'i emëroja ministra. Rrethanat kanë bërë këtë gjë. Unë nuk mund të vë në diskutim për asgjë suksesin e zotit Gjana, apo të zotit Alibeaj, të zotit Oketa, zotit Turku, zonjës Godo. Jo, s'mund ta vë në diskutim. Por, siç është fakti që kemi gjithsej 15 dhe unë 16 poste, nuk e kam parë të arsyeshme që unë të lëviz nga ky kuadër, sepse mbetem njeri i qeverisë së vogël. Pra, ka prevaluar parimi mbi vlerësimet e shkëlqyera për individët.

Pyetja ka lidhje me PBDNJ-në. Ju thatë pak më parë se për disa probleme kjo parti nuk është përfshirë në qeveri. Kjo do të thotë që ndoshta në një kohë të ardhshme do ta kemi PBDNJ-në në qeveri, apo do mjaftoheni me përfaqësimin e minoritetit?
Zoti Ksera është përfaqësues i Partisë Demokratike dhe nuk është vendosur ministër si përfaqësues i PBDNJ-së. Jo. Por unë e them që nuk do të krijoja kabinet, pa pasur edhe minoritetin të përfaqësuar, të përfaqësuar nga PD-ja. Unë e kuptoj që përfaqësim më i gjerë është PBDNJ-ja. Por ama, tashmë ka një përfaqësues të tyre, një përfaqësues me të cilin, gjatë këtyre katër viteve, kemi bërë investimet më të mëdha se në çdo periudhë tjetër në zonën e minoritetit, pse ai ka qenë një avokat i shkëlqyer i tyre, i fshatrave minoritare, për ujësjellësit, rrugët, shkollat, për gjithçka. Në këtë kontekst, ai tani merr një detyrë tjetër, por sërish do të punojmë së bashku dhe më vjen mirë që do të punojmë së bashku dhe është anëtar kabineti. Ai është një djalë shumë i zoti, i talentuar, me aftësi të mëdha organizative.


Përse nuk e keni ftuar Partinë për Drejtësi dhe Integrim, të komunitetit çam në qeverisje?
Në qeverisje do të jetë PDI-ja. Problemi është i thjeshtë. Asnjë sekret. Koalicioni ka një numër votash. Kush të dojë, të pjesëtojë postet. Jemi shprehur për proporcionalitet dhe është bërë një ndarje shumë e ndershme. Por, të jeni të sigurt, që Partia për Drejtësi dhe Integrim do të përfaqësohet qartësisht në qeverisje. Besoj se jeni dakord që nuk janë vetëm ministrat. Ka shumë poste dhe funksione të tjera. Ashtu siç ju deklarova edhe në mbledhjen e grupit tonë parlamentar, unë ju garantoj se secili nga aleatët që ishte në koalicion me forcën time politike, do të marrë qartësisht më tepër sesa proporcioni. Nuk mund të them ekstremisht më tepër, sepse ajo pastaj prish balancat.

Zoti Kryeministër, së pari, më lejoni t'ju shpreh vlerësimet për përfundimin e punës për t'í dhënë vendit qeverinë e re. Së dyti, ju deklaruat më herët që i keni besuar zotit Ilir Meta dhe zotit Lulzim Basha, dy prej ministrive që janë kryesore në objektivin që ka qeveria: heqjen e vizave për shqiptarët. A keni ju ndonjë afat konkret se kur do të jetë heqja e vizave dhe mbi cilat kritere e keni bazuar përzgjedhjen e këtyre dy ministrave?
Lidhur me këta dy bashkëpunëtorë, unë kam besim se zoti Meta, i cili ka një eksperiencë të gjatë në marrëdhëniet ndërkombëtare - ai e ka drejtuar edhe më parë atë dikaster - ka edhe të gjithë peshën e zëvendëskryeministrit, do të jetë një promotor i fuqishëm në procesin e integrimit të vendit. Sepse, duhet të jemi realistë, që politika e jashtme e Shqipërisë ka dhe do të ketë si objektiv më madhor integrimin e Shqipërisë. Në qoftë se nuk ka ekzistuar, në mënyrë absolute, asnjë ujdi në të shkuarën, midis Sali Berishës dhe Ilir Metës, midis LSI-së dhe PD-së, këtë nuk e them dot 100 për qind mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës. Pra, kimizmi i tyre është shumë premtues, që ata këtë proces të rëndësishëm për çdo shqiptar, ta nxjerrin në krye me sukses, sepse e vërteta është se 3 janë dikasteret më direkte në këtë drejtim. Janë Ministria e Jashtme, e Brendshme dhe e Drejtësisë. Pyetësori, 85 për qind të pyetjeve i ka për këto dikastere. Kështu që, këto ministri do të kenë mbështetjen e plotë të Kryeministrit në këtë objektiv madhor. Unë jam shumë optimist. Ju me të drejtë pyesni, se kur do të ndodhë heqja e vizave. Unë kam deklaruar gjatë fushatës elektorale, se vendimi për heqjen e plotë të vizave do të merret gjatë vitit të parë të mandatit tonë të dytë. Ky është premtimi që unë kam bërë në mënyrë të përsëritur. Unë do të bëj çdo gjë që këtë premtim ta mbaj dhe ta shndërroj në realitet.


Kur do të votohet qeveria në Parlament dhe kush është reforma e parë me të cilën do të nisë punën qeveria e re?
Nuk mund të përcaktoj datën, sepse Presidenti i Republikës ka kohën e tij për dekretimin. Por, pas dekretimit, Kryeministri, brenda 10 ditëve - dhe unë do të përpiqem që të jetë sa më e shkurtër kjo kohë - duhet të paraqesë qeverinë dhe programin në Parlament. Për sa i përket pyetjes për reformën e parë të qeverisë. Vetura zyrtare do të kenë vetëm drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Ky është standardi që vendosim ne. Sot është një gjendje absolutisht jashtë çdo standardi. Të dhënat që unë kam dhënë para disa javësh në Këshillin e Ministrave, janë të pjesshme, por të dhënat e plota tregojnë edhe më tepër. Kursimi do të jetë së paku 30 milionë dollarë. Do të vendosim një kuotë. Nuk ka ndërmend ky shtet, në mënyrë absolute, që t'i vështirësojë askujt udhëtimin, transportin, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, por kjo do të bëhet mbi një kod etik krejtësisht tjetër nga ai i trashëguari. Reforma kundër korrupsionit është e lidhur shumë me luftën kundër informalitetit. Liria e tregut nuk ka armik më të egër se informaliteti. Do kalohet në bilance on-line, do kalohet në vlerësime të bilanceve. Ne kemi vendosur sistemin fiskal më të ulët dhe kemi bërë shumë mirë. Ju e patë dje se sa e rëndë ishte, kur në një nga mediat pamë biznesmenët e vegjël të Korçës në protestë. Ishte shumë e rëndë. Unë u kërkoj autoriteteve lokale ta marrin atë protestë me seriozitetin më të madh. Ata biznesmenë kërkonin luftë kundër informalitetit. Ndaj, dhe lufta kundër informalitetit do të jetë një drejtim kryesor. Drejtim tjetër themelor do të jetë Shëndetësia. Me zotin Petrit Vasili do të bashkëpunojmë ngushtë për të shtyrë para reformën në Shëndetësi, si një nga reformat më kryesore, më jetike për shoqërinë shqiptare. Siç e dini, unë mbetem gjithmonë për përballjen shumëplanëshe, sepse kështu e kërkojnë reformat dhe unë kështu do të vazhdoj.

Kësaj here, ndoshta qeveria juaj do të votëbesohet pa votat e opozitës. Si ju duket situata e pas këtyre katër viteve?
Zoti Rama përfaqëson një forcë politike dhe merr vendimet që gjykon se janë më të dobishme për veten e tij, apo për atë forcë politike. Cilat janë motivet që e shtyjnë zotin Rama? Janë absolutisht motive, me të cilat zoti Rama kërkon që krizën e tij personale ta shndërrojë në një dhimbje për qytetarët shqiptarë për të penguar vizat. Nuk ka asnjë qëllim tjetër. Ai e di që gjatë këtyre muajve që vijnë do të merren vendimet dhe mendon se, duke mos qenë në Parlament, ato vendime nuk do merren, për shkak të mungesës së tij dhe, në këtë mënyrë do të bëjë përgjegjëse qeverinë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë. Të përpiqesh të bllokosh të rinjtë shqiptarë që të mos lëvizin të lirë në Evropë, si gjithë moshatarët e tyre, të përpiqesh të bllokosh bashkimet familjare, vizitat tek njëri-tjetri që shqiptarët i kanë më të nevojshme, sepse asnjë komb nuk ka familjarë jashtë vendit, sesa ne dhe e bën këtë të gjithën vetëm për interesat e tua, nuk e di se ku e vendos veten. Çfarë mund të them për të? Vendet janë të lira në Parlament dhe ata janë të mirëseardhur. Së dyti, do të ketë një hapësirë të plotë bashkëpunimi. Së treti, për çdo kërkesë ligjore, nuk do hezitojmë kurrë të respektojmë opozitën. Ju duhet t'ua transmetoni shikuesve dhe dëgjuesve tuaj këtë. Ai kërkon që unë dhe ai të bëjmë gjykatën supreme. Por është turp ta dëgjojë njeri këtë. Si mund të vendos unë mbi vendimin e gjykatës? Unë kam bindjen dhe dua të jem i sinqertë me ju, që një mandat i yni humbi në Fier, por unë nuk mund ta kërkoja atë, sepse vendosi gjykata. Kam bindje dhe kam shumë dëshirë që të numërohet kutia e Fierit. Por s'mund ta bëj këtë, ka një vendim të një Kolegji Zgjedhor, të zgjedhur nga unë dhe z. Rama me konsensus. Atëherë unë duhet t'u them gjykatësve që ju vendosët, por ne jemi mbi gjykatësit?! Jo, ne jemi politikanë, ne kemi mandat të fuqishëm etj., por s'jemi gjykatës. A jemi ne për shtetin ligjor? Të kërkosh gjëra të cilat nuk mund të bëhen -nuk ka ndodhur kurrë që politika të zhbëjë një vendim gjykate - atëherë t'i vë kushte për të mos u realizuar. Por përse zoti Rama nuk kërkon, që në prezencën tuaj, të numërohen në filmim. Por zoti Rama e numëroi Beratin, e mori komplet në film. Më datën 8 dhe 10 korrik, zoti Gjoçaj, ka marrë nga kryetari i KQZ-së videon e numërimit në Berat dhe e ka parë numërimin dhe nuk ka gjetur as edhe më të voglën shkelje. Nuk ka asnjë procesverbal të pa firmosur nga të gjithë komisionerët. Procesi ishte perfekt dhe kjo ka qenë arsyeja që kanë firmosur të gjithë komisionerët. Rama njëherë akuzon komisionerët, njëherë zihet Erjoni me Erjonin, njëherë e ka fajin Sali Berisha, pastaj e kanë me njëri-tjetrin. Kjo nuk është fare serioze. Mua më vjen keq për këtë


******

dt 9 shtator

Bojkoti, Topalli sulmon Ramën, Ndokën dhe Gjinushin

SHKODËR - Jozefina Topalli, e rikonfirmuar kryetare Parlamenti ka qenë sot në Postribë të Shkodrës ku ka folur për bojkotin e opozitës. Dhe me këtë rast ka sulmuar edhe kryetarin e demokristianëve, Nard Ndoka, po nga i njëjti vend ku sulmoi këtë parti gjatë fushatë elektorale dhe pak ditë më pas u vra kryetari i demokristianëve në Malësinë e Madhe, Aleks Keka.


Sot Topalli u shpreh se nuk mund të flasim për bojkot, Edi Rama, Nard Ndoka apo Skënder Gjinushi që nuk janë pjesë e Parlamentit. "I bëj ftesë deputetëve socialistë që të zënë vendet e tyre në parlament , pasi në këtë mënyrë nderojnë votën e socialistëve që kanë votuar për to. Tentativa e bojkotit nga individë të veçantë, për interesa të veçanta, është antikushtetuese . Nuk mund të kërkojnë e flasin për bojkot Edi Rama, Skendër Gjinushi dhe Nard Ndoka që nuk janë pjesë e parlamentit", deklaroi ajo në Postribë, ku merrte pjese në aktivitetin për 63 vjetorin e kryengritjes antikomuniste të Postribës.


Edhe pse Partia Demokristiane është parti e spektrit të djathtë dhe ka qenë në koalicion me PD-në në legjislaturën e fundit, në Shkodër ata u përplasen keqas në fushatë. Kulmi ishte në fshatin Postribë, kur gjatë një mitingu, Topalli u shpreh se nuk duhet të shkojë asnjë votë për maskarenj dhe kontrabadistët e demokristianes. Ndërkohë kur u vra Keka, drejtues te PDK, fajësuan Topallin për deklaratat e ashpra që nxitën urrejtjen e elektoratit.



Takimi Rama-Ndoka: Pro komisionit hetimor


ora 12:00

TIRANË - Partia Demokristiane është partia e parë e djathtë që ndan të njëjtin qëndrim me PS-në, se zgjedhjet në Shqipëri nuk plotësuan standardet e kërkuara. Pikërisht për këtë qellim, kryetari i PDK-së, Ndoka, ka filluar negociatat me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Në një deklarim për "Shekulli"-n, Ndoka ka konfirmuar bashkëpunimin e Partisë Demokristiane me Partinë Socialiste për një hetim administrativ të zgjedhjeve të 28 qershorit. PDK-ja i ka cilësuar standardet e këtyre zgjedhjeve si të papërmbushura, duke shtuar se ka prova të pakontestueshme, që verifikojnë deformimin e rezultatit të këtyre zgjedhjeve dhe që kanë ndikuar në rezultatin negativ të kësaj partie. Ndër të tjera, kryedemokristiani pohon se do pranojë negociatat me të gjitha ato parti, që janë pro hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, qofshin këto të majta apo të djathta.
"Ne kërkojmë të rikthejmë besimin e qytetarëve te vota përtej çdo paragjykimi."- tha Ndoka. Në takimet e zhvilluara mes kreut të PDK-së dhe kryetarit të PS-së, kryesorja mbetet krijimi i një komisioni hetimor. Ngritja e komisionit hetimor është një ndër kushtet e vendosura nga selia rozë për hyrjen e deputetëve socialistë në Kuvendin e Shqipërisë. Ky vendim i opozitës, që po kushtëzon pjesëmarrjen e saj në këtë legjislacion të ri parlamentar, përkrahet edhe nga parti të krahut të djathtë, siç është PDK-ja.
Në vijim, Ndoka tha se për çështjen e fillimit të hetimeve administrative janë zhvilluar takime të ndryshme edhe me kryetarin e LZHK-së, PSD-së e PDS-së. Ndër të tjera,
ai thekson se disa ditë pas formimit të qeverisë pritet të organizohet një takim edhe me kreun e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, me qëllim njohjen e pikëpamjeve të tyre dhe mbështetjen e idesë për ngritjen e këtij komisioni hetimor. Gjithsesi, kryetari i PDK-së theksoi se bashkëpunimi me selinë rozë do të jetë vetëm për zgjedhjet dhe zhvillimin e hetimeve administrative të zgjedhjeve. Ai mohoi mundësinë e hyrjes në koalicion me Partinë Socialiste.


8 shtator
Rama: Me bojkotin, PS-ja nis aksionin politik

TIRANË- Kryetari i PS-së, Edi Rama ka deklaruar sot se kushtëzimi i hyrjes në Kuvend nga ana e socialistëve është vetëm nisja e aksionit politik të opozitës.
"Ne kërkojmë hetim në pavarësi të plotë nga diktati i shumicës për krimin elektoral, në prani të OSBE/ODIHR-it, që janë garant i besueshëm nga të gjitha palët"- tha ai, duke shtuar se PS-ja është gati të hyjë në Kuvend nëse plotësohet kushti për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të tyre për zonat që kontestojnë socialistët.
Gjatë një komunikimi me mediat, Rama e ka quajtur kuvendin jo vetëm shprehje të një deformimi të rëndë të procesit elektoral, por edhe që po afirmon që në lindjen e vet principin shumë të rrezikshëm të mungesës së plotë të vullnetit për transparencë në raport me të gjithë publikun dhe në raport me detyrimet themelore për respektimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese të njerëzve.
"Është e qartë se në themel të kësaj mungese të plotë vullneti qëndron frika nga hapja e kutive që mbajnë brenda bazën e deformimit elektoral. Frika nga hapja e kutive që mbajnë brenda dëshminë faktike të asaj që ka ndodhur në 28 qershor dhe të batërdisë që është bërë me materialin zgjedhor"- tha ai.
Sipas Ramës, përveç frikës nga hapja e kutive është edhe frika nga transparenca me të gjithë veprimtarinë e një shteti të tërë të vënë në funksion të pushtetit. Duke filluar që nga shpërdorimi i aseteve publike për qëllime elektorale, deri tek përndjekja e patregueshme e qytetarëve që sot largohen nga vendi i punës, vetëm sepse janë identifikuar si njerëz të opozitës, se kanë qenë përfaqësuesit e saj në komisione.
"Kjo shtjellon kuptimin e kushteve tona, për të garantuar demokracinë, lirinë dhe të drejtat kushtetuese, të gjithë atë shtrat barazie përpara ligjit dhe në raport me parimet dhe vlerat e panegociueshme të demokracisë, që sot është e kërcënuar nga një kuvend që dominohet me mungesë legjitimiteti dhe nesër do diktohet nga një qeveri, që lind si shprehje e deformimit dhe mashtrimit publik, duke e bashkuar atë që dukej e pabashkueshme para 28 qershorit"- tha ai.
Më tej ai ka deklaruar edhe njëherë vullnetin e forcës që drejton për ta çuar para këtë kauzë përpara, si një kauzë që nuk është ajo e një partie, por shumë më e madhe se kaq, është një kauzë që sipas tij, ka të bëjë direkt me mënyrën si funksionon jeta demokratike në këtë vend dhe kërcënimit që u bëhet përmes pushtetit të sotëm funksioneve jetike të demokracisë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›