E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kutitë nuk hapen. Protestat s'më bëjnë presion

Kryeministri Berisha reagoi dje pas qëndrimit të kryetarit të opozitës, Edi Rama, lidhur me kutitë

TIRANË - Tryeza e bisedimeve pritet që të dështojë pa nisur ende. Ndërsa kryetari i opozitës, Edi Rama, bëri të qartë dje se shkonte në tryezën e bisedimeve për të hapur kutitë e votimit, ka reaguar po me aq vrull edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Përmes një interviste për "TCH", kryeministri Berisha ka deklaruar se nuk do të pranojë në asnjë formë, hapjen e kutive të votimit. "Nuk hapen. Nuk ka njeri të lirë në botë, që të thotë të rinumërohen votat. Nuk ka.

Rama thotë e njoh rezultatin, por të hapen kutitë, kjo është e pamundur. Është e pamundur që të pranojë vlerësim politik për një çështje që e kanë ndaluar gjykatat. Ato thonë se nuk ka rinumërim pa kundërshtim gjatë procesit. I ofroj Ramës të marrë të gjitha amendamentet që janë në raportin e OSBE/ODIHR, rekomandimet në rezolutën e Këshillit të Europës dhe t'i propozojë, unë do t'i votoj",

-
tha dje Berisha. Kreu i ekzekutivit deklaroi gjithashtu se nuk impresionohet as nga protestat, të cilat opozita ka paralajmëruar së do t'i fillojë së shpejti. "Një protestatori natyral, protesta nuk i bën kurrë presion.

E vetmja që nuk më bën është protesta", - tha Berisha, duke shtuar së interesi i tij ishte që opozita të futej në Kuvend. "Nuk ka njeri më të interesuar se unë që, deputetët e Partisë Socialiste, të vijnë në Parlament. Do të ishte dëshpëruese nëse opozita i kalon afatet kushtetuese, sepse do të krijonte precedentë dhe do t'i bënte një sfidë të madhe kushtetuese.

Por duhet ta dijë, se e fundit gjë mbi tokë me të cilën mund të më bëjë presion është protesta", - tha ai. Berisha përjashtoi gjithashtu edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. "Deri në 28 qershor 2013, ajo do jetë e diela e fundit, dita kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare. Kjo mazhorancë po funksionon me një shpejtësi dinamizëm dhe eficencë të plotë", - tha ai.

Edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, kryeministri i vendit ka anashkaluar jo pak rolin që mund të luaje kreu i shtetit në tryezën e bisedimeve për zgjidhjen e krizës. Siç u shpreh edhe vetë ai, për të kishte rëndësi vetëm pjesëmarrja e kryetarit të opozitës, Edi Rama.

Ndërsa të tjerat, sipas tij, ishin dytësore. I pyetur konkretisht nëse kishte besim tek Presidenti i Republikës, Berisha u përgjigj shkurt: "Unë po shkoj të takohem me Edi Ramën, të tjerat janë dytësore. Po shkoj të takoj Ramën, nuk mund të mos kem asnjë qëllim tjetër veçse takimit".

Kryeministri i vendit foli edhe për respektimin e Rezolutës së Këshillit të Europës, duke i dhënë një tjetër interpretim kërkesës kryesore të saj për hetim të zgjedhjeve parlamentare.

"Ndarja e pushteteve është themelore në sistemet demokratike. Komisionet hetimore nuk hyjnë në çështjet e gjykuara nga gjykata. Nuk jam unë ai që gjykon hapjen apo jo të kutive. Këtu janë parimet themelore të një shoqërie të lirë. Janë Kushtetuta dhe parimet e vendit, ligjet themeltare. Çdo provë që zoti Rama disponon le t'ia japë Prokurorisë së Përgjithshme, që ta hetojë.

Por askush as Rama, as komisionerët nuk mund të marrin atribute të prokurorive", - tha ai, duke shtuar se nuk ka asnjë personalitet apo ambasadore që t'i jete shprehur atij nëpër takime se kutitë duhet të hapen. "Këtë e them me përgjegjësinë më të plotë", - tha Berisha.

I pyetur nëse tryeza e Presidentit të Republikës do të jetë eficente, kryeministri u shpreh sërish skeptik. "I takon atij që e thërret tryezën të ketë vlerësimin e tij. Unë shkoj me transparencë të plotë dhe mirëpres delegacionin e Këshillit të Europës. Kam lëshuar shumicën e komisionit hetimor, do ta mbaj premtimin...", - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›