E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza politike, Topi: Po përgatis tryezën

***
Presidenti i Republikës njoftoi dje se ditët në vijim do të vijojë kontaktet me Ramën dhe Berishën për tryezën

Topi nis kontaktet për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët

TIRANË - Nisin negociatat për zgjidhjen e krizës politike në vend. Pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha se është gati për tryezë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përmes një njoftimi zyrtar ka lajmëruar se së afërmi do të fillojë kontaktet me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama.

"Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama.

Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve, që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët", - thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.

Dy ditë më parë, pas takimeve të njëpasnjëshme me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, kryeministri Sali Berisha, në një deklarim për mediat, u shpreh i gatshëm që të negocionte jo vetëm me Ramën, por të pranonte një tryezë edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Deklarata e drejtpërdrejtë e Berishës për të pranuar ftesën e Presidentit të Republikës Topi solli edhe reagimin e këtij të fundit, por sërish përmes njoftimeve për shtyp, duke lajmëruar së kontaktet e drejtpërdrejta do t'i inicionte ditët në vijim.

Edhe komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar ndërhyrjen e Presidentit të Republikës për gjetjen e një zgjidhjeje, ndërkohë që ka një rezolutë të qartë për rolin e kreut të shtetit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Nga ana tjetër, edhe kryetari i opozitës është shprehur i gatshëm për tryezë, por gjithnjë në prani të Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Ndërkohë, deklarata e djeshme e publikuar në sitin zyrtar të Presidencës ishte angazhimi i parë publik i kreut të shtetit për zgjidhjen e krizës politike në vend, pas një periudhe të gjatë heshtje dhe takimesh të njëpasnjëshme me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Gjatë këtyre takimeve, gjithnjë përmes mesazheve të përcjella në sitin zyrtar të Presidencës, Bamir Topi ka njoftuar së mirëpret ço nismë që do të çonte në rivendosjen e dialogut politik në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›