Berisha: Kutitë nuk i hap. Koalicion me LSI-në, edhe 30 vjet
Në 100 ditët e para të qeverisjes, Kryeministri i vendit shmang krizën ekonomike dhe sociale në vend
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbrëmje nga Kryeministria se zotimi i tij para shqiptarëve ishte që të tejkalonte veten, me qëllim që çdo 100 ditësh që vjen të jetë më i mirë se ai paraardhësi. Por, për 100 ditët e para të qeverisjes, që ai mbrëmë bëri publike për mediat, Berisha tregoi të kundërtën. Ndryshe nga herët e tjera, kur ka prezantuar punën e tij 100-ditore, mbrëmë Berisha kishte shumë pak për të folur. Kryeministri i vendit nuk përmendi krizën ekonomike në vend e për pasojë reformat që duhen ndërmarrë, as masat që duhet të merren si rezultat i rritjes në prag të energjisë elektrike, as reformat për të zvogëluar papunësinë në vend dhe as arsyet e vërteta se pse Shqipëria mbeti e fundit në rajon për liberalizimin e vizave. Për këtë të fundit, Berisha u justifikua me prejardhjen historike të Shqipërisë dhe me faktin që deri para zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit socialistët nuk kishin zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Koalicioni me LSI-në
Që në fillim të fjalës së tij, kryeministri i vendit u shpreh se ky është 100-ditshi i koalicionit të PD-së dhe aleatëve të saj me forcën e tretë politike të vendit, LSI-në.
"Ky koalicion lindi si rezultat i verdiktit të sovranit dhe i leximit më të përgjegjshëm të këtij verdikti, si nga koalicioni i Partisë Demokratike ashtu edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Natyrshëm, miq dhe ziliqarë shtronin pyetjen si do t'ia dalë ky koalicion, kjo mazhorancë e re. Këto 100 ditë faktuan se ky koalicion mund të ecë edhe 30 vite të tjera në timonin e qeverisjes së lirë. 100-ditshi që lamë pas është 100 ditshi i vendimeve të mëdha historike që Bashkimi Evropian ka marrë për Shqipërinë dhe shqiptarët", - tha ai. Kështu në 100 ditët e para të qeverisjes së tij, Berisha radhiti si ngjarjen më të rëndësishme marrjen nga BE të statusit të vendit kandidat, duke e cilësuar si një fitore të vetë mazhorancës e cila, sipas tij, arriti që të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. "28 Qershori është nga datat e mëdha dhe të vonuara në historinë e demokracisë shqiptare. Zgjedhjet u certifikuan. Nuk pati të dhëna për manipulim rezultatesh as për numërim jo të rregullt", - u shpreh dje Berisha. Kryeministri i vendit përmendi si arritje edhe dorëzimin e pyetësorit, për të cilin Berisha u shpreh se Brukseli ka besimin më të madh që kjo qeveri ka mundësitë dhe kapacitetin për t'ju dhënë përgjigjen e vërtetë. "Këto vendime u morën, sepse Brukseli, Evropa konstatoi se bojkoti i opozitës shqiptare është një bojkot pa kauzë demokratike se me këtë bojkot kërkohet të shndërrohet Kuvendi në Gjykatë dhe kjo është e papranueshme për çdo njeri. Dëshiroj dhe shpresoj që vendimet e mëdha historike do ta bëjnë z. Rama të nxjerrë vendimet e duhura", - tha ndër të tjera Berisha.
Hapja e kutive
Kryeministri Sali Berisha është shprehur dje në mënyrë kategorike për të mos hapur kutitë e votimit. I pyetur nga media lidhur me mundësinë e hapjes së kutive, si kërkesa kryesore e opozitës për të dialoguar më mazhorancën, Kryeministri Berisha u shpreh se nuk ka formë në tokë më primitive të formulimit të një kërkese. Kreu i ekzekutivit shtoi se janë interesa thellësisht jo demokratike ato që kanë përqendruar mendjen te kutia. "Unë nuk kam ndonjë pushtet mbi opozitën. Unë kam detyrimin tim madhor, të zhvilloj zgjedhjet që duhen, kam detyrimin tim madhor ta ftoj dhe ta garantoj përpara ligjit, por jashtë çdo mundësie që unë të pranoj në mungesë të plotë të procedurave mbi ligje, që unë të pranoj në pranim të plotë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, kërkesat të cilat rrënojnë ndërtesën. Unë kam një ofertë, jam i hapur, e mirëpres. Në qoftë se etërit e tyre historikë dhe biologjikë u shtruan te bunkerët, këta zotërinj po shtrohen te kutitë. Çfarë përzgjedhje është kjo? Ata bunkerët, këta kutitë. Opozita nuk mund të komandohet. Opozita duhet të respektohet dhe për këtë unë të garantoj respekt të plotë", - tha Berisha.
Reformat
Kryeministri i vendit ka përmendur mbrëmë si arritje edhe disa reforma që janë ndërmarrë në sistemin shëndetësor, arsimor dhe ajo në politikën e jashtme. Pjesë e arritjeve, sipas tij, është edhe ligji antimafia dhe ai për moratoriumin e skafeve drafte këto që janë cilësuar nga opozita si antikushtetuese. Kryeministri i vendit u shpreh se qeveria që ai drejton, këto 100 vite ka bërë shumë në luftën kundër korrupsionit, duke përmendur ligjin për heqjen e makinave shtetërore dhe shoferëve personale zyrtarëve, (përveç disa kategorive), praktikat që janë ndërmarrë për biznesin, apo edhe arrestimin e 28 zyrtarëve qendrorë apo lokale. Lufta kundër krimit të organizuar, sipas tij, ka marrë një vrull të ri. "Kështu janë çmontuar mbi 15 grupe organizata kriminale, rrjete vjedhësish të sofistikuar, autorë të krimeve të renda financiare. U rikthye në Shqipëri dhe do përgjigjet para drejtësisë famëkeqi Aldo Bare, përgjegjës për shumë e shumë vrasje", - u shpreh Berisha. Kryeministri i vendit përmendi edhe vendimet që janë marrë për procesin legalizimeve, dhe atë të pronësisë. Ai ka paralajmëruar gjithashtu një reforme të plotë të inspektorateve në vend, duke përmendur se aktualisht në Shqipëri janë 35 të tilla.