E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kuvendi Kombëtar sanksionon bazat për transformimin e PD-së

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se Kuvendi Kombëtar sanksionon bazat për transformimin e vërtetë të PD-së.

Gjatë mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se kjo është një mbledhje shumë e rëndësishme ku miratohen ndryshimet statutore, listat dhe propozimet për Këshillin Kombëtar.

“Ne finalizojmë me Kuvendin tonë Kombëtar procesin e zgjedhjeve në PD dhe sanksionojmë bazat për një transformim të vërtetë të PD”, u shpreh Berisha.

Transformimi, sipas tij, nënkupton ripërtëritjen e PD-së, si dhe organizim për këtë forcë.

“Nënkupton modernizimin e saj, nënkupton përpunimin e vizionit të kësaj partie në këto shtylla. PD do të arrijë atë transformim të domosdoshëm për të përmbushur një mision historik të saj, dhe misioni historik i PD-së është rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i PD në pushtet”, u shpreh Berisha.

Në të gjithë këtë përpjekje, Berisha theksoi se “synojmë të angazhojmë, të mobilizojmë çdo potencial për përmbushjen e misionit tonë të vështirë”.

“Në këtë udhëtim, ne mbështetje më kryesore kemi lirinë, demokracinë e kësaj partie, konsultën me anëtarësinë, ripërtëritjen e saj të fuqishme me anëtarësime të reja, ripërtëritjen e saj në të gjitha nivelet”, u shpreh Berisha.

Ripërtëritja, sipas Berishës, nënkupton anëtarësime të reja.

“PD, në rrafshin organizativ, do jetë partia e seksionit. Dhe, përparësi absolute në piramidën e saj merr themeli, i cili është seksioni. Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja. Nënkupton zhdukjen e çdo barriere që pengon anëtarësimet e reja. Nënkupton hapjen e dyerve në nivel seksioni dhe në të gjitha nivelet për prurje të reja, angazhime të reja”, shtoi Berisha.

Ai theksoi se janë me mijëra e mijëra demokrate e demokratë të gatshëm të anëtarësohen dhe të marrin përgjegjësi, por që nuk u ofrohet kjo mundësi dhe ky mjedis.

“Sëmundja e opozitarizmit është inercia, është apatia. Dhe kjo sëmundje bën që të tregohemi indiferentë ndaj këtij procesi që është jetik për PD-në. PD sot më shumë se kurrë ka nevojë për eficencë. Eficencën e çdonjërit prej drejtuesve, prej anëtarëve të saj.
Ka nevojë për treguesit e matjes së kësaj eficencë në mënyrë që potencialet e saj të shfrytëzohen në shkallë maksimale”, shtoi ai.

Sipas Berishës, “PD ka jetik shfrytëzimin e çdo potenciali që ofron dixhitalizimi dhe urtësia artificiale në mënyrë që ne të mund të shumëfishojmë fuqinë tonë”.

“Programi i saj apo vizioni i saj është absolutisht më i miri që ekziston. Por ne kemi fatin e madh dhe privilegjin e veçantë që programin e kësaj partie ta konsultojë, ta shqyrtojmë dhe rishqyrtojmë me think-tanket më të mira që ekzistojnë sot në Europë dhe në SHBA”, shtoi Berisha.

1 nga 2

/m.m/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›