E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Mandatin e ardhshëm, 250 mijë vende të reja pune

02-06-2013 / Gazeta 55

Prezantohen edhe kandidatët e PD në zonën e Dumresë në Qarkun e Elbasani - akuza Edi Ramës për modelin e taksave si pengesë për sipërmarrjen e punësimin. “Zgjedhjet e 23 qershorit janë zgjedhjet për ëndrrën evropiane të shqiptarëve dhe për përpjekjen tonë të madhe për të liberalizuar vizat me SHBA-në”

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga Belshi, ku prezantoi kandidatët e PD për zonën e Dumresë, se mandatin e ardhshëm do bëhet i mundur krijimi i 250 mijë vendeve të reja të punës. Kryeministri tha se, “programin tonë të punësimit, e bazojmë në tërheqjen e investimeve të huaja, nxitjen e turizmit, financimin për fermerët, në zhvillimin e Shqipërisë”. Kreu i qeverisë theksoi se “ne kemi një program konkret për punësimin tuaj dhe ky është programi që bazohet në lirinë tuaj ekonomike”. Duke falënderuar qytetarët shqiptarë në mbështetjen për Partinë Demokratike në përpjekjet e saj për Shqipërinë e zhvilluar, Berisha tha se “jam sot për të paraqitur kandidatët për deputetë të Dumresë dhe qarkut të Elbasanit me zotimin tim para jush, se me këta deputetë do të punojmë me përkushtimin më të madh për zhvillimin e Dumresë, krijimin e vendeve të punës, për urbanizimin e saj, për lulëzimin e fermave dhe biznesve”.
 Lideri i PD-së tha se në këto vite qytetarët shqiptarë janë përballur me vështirësi, por “ju firmosët anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kjo është arritja më e madhe në historinë e shqiptarëve”. “Por, ne së bashku, në pak vite po ndryshojmë edhe gjeografinë e Shqipërisë. Së shpejti, do të inaugurojmë tunelin dhe autostradën Tiranë-Elbasan”, deklaroi ai.
Berisha tha se alternativa jonë është alternativa e zhvillimit e tërheqja e investimeve. “Në 4 vitet që shkuan, Shqipëria mbeti ndër më të paktat vende në Europë që pati rritje ekonomike, që pati ulje të papunësisë edhe kjo sepse në Shqipëri u investuan mbi 4.2 miliardë dollarë. Ne synojmë para së gjithash punësimin dhe rritjen e rrogave dhe pensioneve tuaja”,  deklaroi Berisha. Duke prezantuar programin e PD-së për punësimin, kryeministri tha se ne kemi një program të qartë dhe të sigurt për krijimin e 250 mijë vende pune. “Programin e punësimit ne e bazojmë në rritjen më të madhe të investimeve në Shqipëri. Me fillimin e punimeve të kaskadës së Devollit, projektet më të mëdha që vijnë, Shqipëria do të ketë jo më pak se 6 miliardë dollarë investime të huaja në 4 vitet që vijnë. Punësimin tuaj ne e bazojmë në përpjekjen tonë të përbashkët për një bujqësi moderne dhe të zhvilluar. 4 vitet që shkuan ne financuam 45 mijë fermerë e blegtorë të të gjitha fushave. Së bashku me sektorin privat, në mbarë Shqipërinë u krijuan në 4 vitet e shkuara 100 mijë vende pune. 4 vitet që vijnë ne do të  tre fishojmë grandet”- tha ai.  Sfidat e mandatit të ardhshëm, tha kryeministri, janë padyshim liberalizimi i vizave me SHBA-të dhe integrimi i vendit në BE. “Zgjedhjet e 23 qershorit janë zgjedhjet për ëndrrën evropiane të shqiptarëve dhe për përpjekjen tonë të madhe për të liberalizuar vizat me SHBA-në”, tha ai.
Më tej, kreu i ekzekutivit u ndal te alternativa e socialistëve, e cila sipas tij “është sharje, mallkime, mashtrime, bllokim e trillime”. Lideri i PD-së tha se “Shqipëria që shihet nga autobusi mavi, sipas banorëve të autobusit mavi dhe pasagjerëve mavi është Shqipëria në natë dhe jo në NATO. Është Shqipëria që këto 4 vjet nuk ka arritur asgjë pozitive. As rritje rroge dhe pensione, as lëvizjen e lirë as tunelin e Elbasanit. Të gjitha këto kanë qenë dhe janë, inekzistente për gjyzlykët e atyre që Shqipërinë nuk duan ta ndihmojnë, por duan ta bllokojnë dhe ta poshtërojnë”, u shpreh shefi i qeverisë. Duke u ndalur te deklarata e kryesocialistit për heqjen e taksave për 95 % të shqiptarëve, Berisha e konsideroi një mashtrim. “A mund ta pyesim këtë zotëri po sikur këta 5 % të na ikin nga Shqipëria? Meqenëse paratë për ndërtimin e rrugëve, shkollave, ujësjellësave, për rrogat e mësuesve për pensionet e pensionistëve, administratën, do i paguakan këta 5 % e shqiptarëve, po sikur këta të thonë: do ikim diku tjetër se na mbytën taksat. Le t’i themi këtij zotërie se vendosëm taksën e sheshtë, ia dolëm të 2-3 fishojmë bizneset”, tha Berisha. Prandaj, tha kryeministri, zgjedhjet e 23 qershorit janë zgjedhje për vende pune më shumë, për infrastrukturë moderne. “Por mbi të gjitha, janë zgjedhje për ëndërrën tuaj evropiane, për hapjen e negociatave me BE-në, ndaj ju ftoj që më 23 qershor të votoni 44-n, përpara për integrimin, përpara për punësimin dhe mirëqenien”, përfundoi kryeministri.    

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›