Berisha: Filozofia jonë e uljes së taksave. Rama model për trefishim të paligjshëm
Kryeministri bashkëbisedim me qytetarët e Pogradecit
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se filozofia e qeverisë është ajo e taksave të ulëta, duke shtuar se në thelb të kësaj filozofie është iniciativa e lirë. Ndërsa ka folur në një bashkëbisedim me qytetarët në Pogradec, kryeministri Berisha përmendi disa nga reformat e ndërmarra nga qeveria në ndihmë të sipërmarrësve. “Në thelbin e filozofisë sonë mbetet iniciativa juaj e lirë, forca sipërmarrëse e njeriut dhe ne besojmë që kjo është rruga e zhillimit. Do të bëjmë gjithçka për ta lehtësuar këtë iniciativë. Ne ndërtojmë rrugë, shkolla ujësjellës, spitale në fuksion të qytetarit. Ne jemi përcaktuar dhe mbetetemi forca politike e taksave të ulta për faktin e thjeshtë pasi ne besojmë se paratë në kontot tuaja janë shumë të rëndësishme pasi ju krijon vende pune. Dhe kjo praktikë ka funksionuar në mënyërë të fuqishme dhe me këtë politikë nga vitit 2006-2012 kemi mbledhur në arkën e shtetit 9.2 miliard dollarë më shumë se qeveria e ardhshme”- tha Berisha. Ndërsa iu përgjigj një qytetari i cili e komplimentonte se ishte gjithnjë e më i ri, kreu i qeverisë nuk la pa sulmuar edhe kreun e PS-së Edi Rama për të cilin ka theksuar se ai vuan nga fiksimet. “Shoku Rama është shumë obsesiv dhe vuan nga fiksimet. Unë jam mjek, e mirëkuptoj atë. Së dyti, dikur më thoshte se unë fluturoj me helikopter, kur unë udhëtoja me një makinë të marrë me qera nga PD-ja, sepse kisha nxjerrë urdhër që asnjë mjet i shtetit nuk do të përdoret në fushatë. Kishte njëhërë ditëlindjen dhe i çova edhe një urim, që ia bëra me dashamirësi, por edhe i duhej ajo që i thashë: Zoti i shtoftë rini, viteve tuaja” tha kryeministri. Gjithashtu kryeministri ka mbrojtur taksën e sheshtë të aplikuar nga qeveria ndërsa ka sulmuar taksën progresive të Partisë Socialiste. “Pala tjetër deklaroi se “të pasurve do t’ua tregoj unë me taksat”, mirëpo kur pa se gaboi, u tha do t’i deklaroj tatim-fitimin. Ndërsa tani u thotë shqiptarëve “do t’u ul taksat 95% të shqiptarëve! Po kush e ka bërë kapitalizmin, popullor? Taksat, se të gjithë janë aksionerë në shtetin e tyre, paguajnë për rrugët, shkollat etj. po pyeteni pak: ku do t’i marrë këto para? Ai thotë do t’ua marr atij 5%-it. Por ti kështu shkakton rrënimin e tyre. Në vitin 2005 kur morëm pushtetin, me dhjetra biznesmenë unë I kam gjetur në Bullgari, kishin ikur se nuk punohej këtu. Sot shqiptarët kanë taksat më të ulta në Evropë. Është e vërtetë se një infermiere paguan 10% taksë, por para vendosjes së saj, sa e kishte pagën? Sepse sot merr 14 rroga më shumë, sepse taksa e sheshtë lehtësoi biznesin. Shumë e thjeshtë, pra, kemi të bëjmë me një qëndrim kryekëput kaotik”- tha Berisha.
Rama do krijojë shtetin e autobusit mavi
Gjatë inaugurimit të fabrikës së përpunimit të peshkut në Hudënisht të Pogradecit, shefi i qeverisë ka theksuar se Rama kërkon të krijojë shtetin e autobuzit mavi ndërsa ka shtuar se kryesocialisti kërkon të realizojë ato të cilat janë përfunduar nga qeveria. “Ne po ecim me një program të fuqishëm për biznesin. Unë pashë këtu autoklavat e presionit të lartë dhe makineri të tjera, të gjitha janë blerë duke paguar TVSH-në, por tani do të blihen pa paguar asnjë taksë e tarifë. Këto ne i kemi bërë realitet. Pala tjetër premton të bëjë realitet atë që ne kemi bërë realitet. Por një gjë nuk e lëshoi dot. Kur vjen puna tek nafta, thotë do të heqim akcizën, se tollonat atë kohë u shndërruan në tollona të partisë. Ne do t’u japim akcizën e naftës në dorë fermerëve, për aq sa harxhojnë. Ne kemi filozofi krejt tjetër. Pala tjetër bërtet për taksat, por nuk thotë sa ulen. Ajo thotë se 5 përqind e shqiptarëve do të mbajnë të gjithë Shqipërinë, kur në vendet e lira është e kundërta, janë 90-95 përqind e taksapaguesve që mbajnë vendin dhe ekonominë. Ai do të krijojë shtetin e autobusit mavi. Por shteti i autobusit mavi është shteti i fiksimeve. Unë jam njeri që e kuptoj atë më mirë se kushdo tjetër. Të vijë burri 50 vjeç me kompleksin e Edipit e të mos çlirohet, e hidhur, e palidhur kjo, por ndodh. Imagjinoni, ai që ai që urren babën, se çfarë ndjenjash ka për gjyshin. Por i falet plotësisht se e ka nga kompleksi i Edipit. Nuk u shërua dot, e kapi, e vuajti, e përjetoi, ia bëri si ia bëri atë jetë, por ai është një kompleks. Është për t’u mëshiruar, është i sëmurë. Nuk them gjë tjetër për të”- tha Berisha.
Kryeministri Berisha ka vlerësuar edhe vizitën e kryebashkiakut Basha në zyrën elektorale të kandidates së PS-së Lindita Nikolla dhe takimin me këtë të fundit. “Zoti Basha ishte në mision të shërbimit të qytetarëve. Rastisi që po rregullohej rruga, pasi zoti Rama la si trashëgimi 250 kilometra rrugë e rrugica të baltosura në Tiranë. Natyrisht, Basha bëri mirë që po ndërton rrugën ku është zyra e përkohshme e zonjës Lindita Nikolli dhe kjo është normale. Por shoku është në autobus mavi. Po ta shihni e dëgjoni, ai i ka të gjitha elaboratet nga autobusi mavi, ia redakton Koçoja, pasi ai është zëvendëshoferi, ndonëse de facto është shoferi i autobusit”- tha kryeministri.
Gjithashtu kryeministri Berisha premtoi ndërtimin e korektorit të liqenit të Pogradecit si dhe mbrojtje të veçantë liqenit nga UNESCO.
...