E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Masivet me ullinj, programi më i madh i qeverisë

Duke u ndalur në ecurinë e deritanishme të këtij projekti madhor të qeverisë shqiptare në sektorin e bujqësisë dhe paraqitjen e objektivave strategjikë të zhvillimit për periudhën 2009-2013, Kreu i Qeverisë theksoi se "projekti për ullirin, i shpallur nga qeveria si projekt kryesor për 4 vitet që vijnë për bujqësinë shqiptare është kompleks, ambicioz, që synon përmirësim të rëndësishëm të fondit të ullishtës ekzistuese dhe një përpjekje të gjithanshme për rritjen e prodhimit të saj". 

Në këtë kontekst, Kryeministri siguroi se qeveria do të shtojë në buxhet fondet për investimet në këtë sektor. "Pesëfishimi i këtij fondi në 4 vitet që vijnë është një nga zotimet tona ambicioze. Në 4 vjet ne duhet të mbjellim 20 milionë rrënjë ullinj për të hapur perspektivën e së paku 30 milionë të tjera gjatë viteve në vazhdim", tha Kryeministri Berisha.

Gjithashtu, Kryeministri  vlerësoi punën e bërë nga ministria e Bujqësisë dhe grupi i punës i ngritur për projektin ambicioz të ullirit, që kanë bërë një studim serioz të tokës, parcelave të mundshme për mbjelljen e ullinjve dhe gjendjes ekzistuese të tyre, si dhe gjithë politikat që duhen ndjekur në këtë drejtim. Duke e cilësuar si një nga trashëgimitë më të mëdha të sektorit bujqësor fondin e ullishteve prej rreth 5 milionë rrënjë, Kryeministri Berisha tha se sot situata e ullishtave është problematike.

"Ndonëse ajo përbën bazën e jetës të pothuajse 100 mijë familjeve shqiptare, sërish duhet të themi se prodhimi i ullishtës ekzistuese është 4 deri në 5 herë larg prodhimit të ullishtave të vendeve tradicionale të rritjes së ullirit", vlerësoi Kryeministri Berisha. Sipas tij, Shqipëria ka një terren e klimë shumë të favorshme për kultivimin e ullirit.

 "Nuk ka një vend tjetër ku ulliri mund të zhvillohet më i shëndetshëm, më i fuqishëm, sesa në Shqipëri. Toka, uji, dielli, pra janë të gjitha kushtet që bëjnë të mundur kultivimin dhe zhvillimin e tij, në 9 nga 12 qarqet që ka vendi, nga Hani i Hotit deri në Ksamil, nga brigjet e detit, deri në thellësitë e brendshme të vendit", tha Kryeministri Berisha. Ndërsa u ndal në mbështetjen e qeverisë për këtë sektor, Berisha tha se Qeveria po financon impiantet e përgatitjes së fidanëve të ullirit, duke i bërë thirrje 70 kompanive private, që  prodhojnë sot fidanë ulliri, që të 2-4 fishojnë prodhimin e tyre.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›