Berisha: Mbështesim procesin e integrimit, por Shqipëria nuk plotëson kriteret për anëtarësim

TIRANË, 17 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, se sipas vlerësimeve ndërkombëtare për tenderat publikë, Shqipëria ka shënuar rënie të ndjeshme në transparencë dhe standard.
Duke komentuar deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në podkastin e sotëm, Berisha tha se qeveria e tij u damkos nga institucioni i Tender Europe, i cili në vlerësimet e tenderave në 38 vende gjeti se Shqipëria kishte një rënie dramatike nga viti 2010 gjer në vitin 2026, nga 80 pikë që kishte në vitin 2010-2013, bie në 64 pikë në vitin 2026.
“Përveç kësaj, Europe Tender gjen se transparenca ka rënë në 50 pikë dhe dramatike është se flamuj të kuq kanë 40% të tenderave. Pra, një gënjeshtër sa më shumë të përsëritet bëhet aq më e zezë dhe nuk bëhet e vërtetë”, tha ai.
Berisha u ndal tek rezoluta në mbështetje të procesit të anëtarësimit në BE miratuar në Kuvend edhe me votat e opozitës, duke theksuar se opozita e mbështet procesin për arsye gjeopolitike, por Shqipëria nuk plotëson kriteret për anëtarësim. Ai shtoi se rezoluta e miratuar në Kuvend nuk përmban vlerësime për qeverinë, por vetëm kërkesa dhe detyrime në kuadër të procesit integrues.
“Në monologun e tij, ndër të tjera, u ndal dhe tek rezoluta që u votua në parlament, duke pretenduar se opozita e votoi pasi konstatoi se po zhbllokohet IBAR. E vërteta është se, opozita ka një tezë nga e cila nuk lëviz, se Shqipëria përveç kriterit gjeopolitik nuk plotëson absolutisht asnjë kriter për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Berisha.
Por, shtoi ai, opozita e mbështet këtë proces si një proces të diktuar nga gjeopolitika dhe kurrë ndonjëherë nuk ka menduar dhe nuk mendon të bllokojë procesin.
Berisha sqaroi se rezoluta nga alfa tek omega nuk ka asnjë fjalë vlerësimi për punën e qeverisë apo të parlamentit, por thjesht rreshton kërkesat dhe detyrat të domosdoshme për procesin e integrimit.
Kryetari i PD-së, u ndal edhe te konferenca e Kryeministrit Rama në Talin, të cilën ai e konsideroi si një monolog.
“Krahasoi shqiptarët me talebanët, duke u përpjekur të jetë interesant se shqiptarët janë në besimin e tyre të perëndimit si talebanët e Europës. Asgjë s’i lidh shqiptarët me talebanët. Nuk i lidh as e shkuara, as besimi i tyre, as politika dhe asgjë tjetër. Ata janë një organizatë terroriste e damkosur dhe krahasimi i kombit tënd me një organizatë si ajo, të tregon se je një njeri i shpërlarë, që je i gatshëm të thuash çdo fjalë për t’u bërë interesant”, vijoi Berisha.
/e.i/j.p/