Rezoluta për BE-në, Rama: Opozita e kuptoi që procesi është i pandalshëm

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur bashkimin e forcave politike në Kuvend për miratimin e rezolutës lidhur me procesin e anëtarësimit të Shqipëria në Bashkimi Europian.
Gjatë reagimit të tij, Rama e cilësoi pozitiv faktin që opozita iu bashkua shumicës qeverisëse në mbështetje të integrimit europian të vendit.
“Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme prapë se prapë është një herë me vlerën e vet”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, tashmë është kuptuar se procesi i integrimit europian është i pandalshëm dhe se “bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston”.
Rama paralajmëroi gjithashtu lajme të reja pozitive për avancimin e negociatave me BE-në, duke theksuar se vendi pritet të kalojë në një fazë tjetër të procesit.
“Së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave”, deklaroi ai.
Në fund, kreu i qeverisë e cilësoi të mirëpritur bashkimin e opozitës në atë që ai e quajti “varka e Shqipërisë europiane”.
“Bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në ‘varkën e Shqipërisë europiane’, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur”, tha Edi Rama.