E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mbështesim protestën me të gjithë potencialin tonë

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot nga Kruja se PD do ta mbështesë protestën me të gjithë potencialin e saj dhe nuk do ta lëshojë kurrë sheshin.

Berisha falënderoi demokratët që në mënyrë konstante kanë marrë pjesë në protestat mbi tremujore që zhvillohen në Tiranë dhe kanë shkuar aty si qytetarë.

“Ne i kemi mbështetur dhe do i mbështesim ato protesta me të gjithë potencialin tonë, do e mbështesim si qytetarë. Ne jemi njerëz të moralit, ajo filloi si protestë qytetare, është protestë qytetare dhe ne e respektojmë”, shtoi Berisha.

Berisha komentoi po ashtu edhe thirrjet kundër tij në protestë.

“Ato parrulla, slogane që lëshojnë një grup armiqsh tanë, opozitë e opozitës, nuk mund të na pengojnë ne kurrë të lëshojmë sheshin, se ne jemi njerëzit e sheshit. Nuk e lëshojmë kurrë protestën. Kërkesat e tyre janë identike me kërkesat tona”, tha Berisha.

Berisha siguroi se PD do të protestojë dhe do t’i mbrojë ato kërkesa.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›