E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e 109-të e protestës, grupi organizator: Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, vendim i padrejtë

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën sërish këtë të mërkurë, në protestën që shënon ditën e 109-të të saj.

Në protestën e sotme u përsëritën kërkesat kryesore, nga dorëheqja e kryeministrit Edi Rama deri te largimi i kastës së politikës së vjetër.

Në çelje të protestës, aktivisti Arben Kola kujtoi thirrjen për pjesëmarrje ditën e nesërme, në orën 10:00, në protestën përpara Parlamentit, ku pritet të mbahet seanca plenare e radhës.

“Nesër është protestë te Parlamenti që në orën 10:00, ku ka seancë. Ftoj ata shqiptarë që kërkojnë mosbindjen civile që, sa herë ka Parlament, është momenti i përplasjes me Parlamentin e korruptuar dhe qeverinë e korruptuar. Vezët dhe mjetet i dimë tashmë, mjetet më demokratike në terren”, tha aktivisti Arben Kola.

Profesori Lush Susaj, në ditën e 109-të të protestës kundër qeverisë, tha se qytetarët duhet të bashkohen edhe më shumë.

“Durim dhe qëndrueshmëri, protesta nuk ndalet kundër kësaj qeverie që i ka sjellë të gjitha të këqijat Shqipërisë. Rezistenca është e ardhmja e kësaj proteste. Nuk jemi për dhunë. Ne jemi vendosur në protestë paqësore”, tha ai.

Ndërkohë, të tjerë qytetarë vijuan marshimin drejt foltores përpara godinës së Kryeministrisë.

Gjatë fjalës në sheshin përballë Kryeministrisë, Dritan Goxhaj, mbajti një fjalim lidhur edhe me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për të dënuar Thaçin, Krasniqin, Selimin dhe Veselin.

Goxhaj tha se vendimi është krejtësisht i padrejtë dhe se kemi të bëjmë me teatër.

“Të dashur bashkëqytetarë. Sot do të lexoj një deklaratë të grupit të përgjithshëm koordinues. Sot është një ditë e zezë për lirinë. Sot në Hagë u dhanë dënime të rënda për katër ish-pjesëtarë të UÇK-së. Ne nuk po flasim për drejtësi, por për padrejtësi. Po flasim për një gjykatë që nuk ka asgjë të përbashkët me gjykatat e tjera.

Ato u bazuan në dëshmi të rreme. Ne jemi të qartë, kjo nuk është drejtësi, por teatër. I akuzuari nuk kishte mbrojtjen e duhur. Kjo nuk është drejtësi, por padrejtësi e organizuar.

Kjo padrejtësi po vjen nga Europa, që në vitin 1913 copëtoi Shqipërinë. Kosova iu dha Serbisë. Stabiliteti në Ballkan nuk përdoret më si pretekst. UÇK-ja nuk ishte lëvizje terroriste, por përgjigje kundër shtetit gjenocidal serb. Djemtë e Kosovës u ngritën, u bashkuan dhe luftuan”, tha Goxhaj.

“Liria nuk jepet, por fitohet. Ata sakrifikuan, ranë dëshmorë. Sot Haga po mundohet ta kthejë këtë fitore në krim. Kjo është fyerje. Historia nuk mbaron këtu. Ata mund të bëjnë sikur kanë fituar, por e vërteta është se Kosova është e lirë, pasi UÇK-ja luftoi. Kosova është e lirë pasi luftuam. NATO luftoi, pasi lufta e UÇK-së është e drejtë. Kërkesa për dorëheqjen e Ramës është normale, ai nuk mund të dalë të kërkojë drejtësinë e tyre, e shiti Kosovën në vitin 2015. Tani kërkon ta besojmë, por jo. Rama nuk është zgjidhja, por pjesë e problemit”, tha Goxhaj.

Protesta, e cilësuar edhe si “Revolucioni i Flamingove”, nisi më 31 maj si reagim ndaj projektit turistik të planifikuar për t’u ndërtuar në Zvërnec. Por tashmë organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë artikuluar kërkesa më të gjera politike dhe institucionale.

Protesta, foto; Florian Abazaj 1 nga 11

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›