Berisha: Me “sytë” te diaspora! Kreu i PD kërkon identifikimin e migrantëve dhe kontakte me ta

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mblodhi kryesinë e Partisë Demokratike duke u bërë apel drejtuesve të PD të fokusohem te shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e që do të votojnë për herë të parë në 11 maj. Sipas Berishës, diaspora përbën forcën kryesore për rotacionin politik.
Berisha ironizoi mesazhin publik të kryeministrit një ditë më parë, duke e akuzuar atë dhe qeverisjen e tij për korrupsion.
“Tha shumë gjëra dje, por nuk tha dot nuk jam hajdut. Dhe unë po i them o zotëri, ti je hajdut dhe kjo është drama më e madhe e shqiptarëve”, tha Berisha.
Gjatë mbledhjes me kryesinë, Berisha përcolli mesazhin se çdo deputet e çdo drejtues i PD duhet të dalë jashtë kufijve të vendit e të takohet me diasporën.
Kreu i PD vuri në dukje se çdo degë e PD brenda Shqipërisë duhet të identifikojë çdo qytetar që është larguar nga vendi dhe më pas drejtuesit e PD të përpiqen të kontaktojnë sa më shumë përfaqësues të diasporës./vizionplus.tv