Berisha: Minimum jetik dhe kartë konsumatori, i japim fund varfërisë ekstreme

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha së bashku me ekspertë të opozitës dhe me mbështetjen e Fondacionit të CDU gjermane “Konrad Adenauer” prezantuan sot programin e qeverisjes 2025-2029 për sektorin ‘Mbrojtjen e Familjes dhe Politikat kundër Shpopullimit’.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se, “shqiptarët ikën nga vendi për shkak të varfërisë, sepse prindërit nuk mund të ushqenin fëmijët”.
“Në 10 vite ka ndodhur gjenocid i butë, por gjenocid i vërtetë ndaj shqiptarëve. Kanë braktisur Shqipërinë për kushte, të llogaritur vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Të marrë edhe në të gjitha vendet e tjera, këta shkojnë të paktën minimumi në 1 milionë e 400 mijë banorë. Kurrë një komb nuk ka patur një zbrazje të tillë të llahtarshme”, tha kreu i PD.
Dhe, theksoi ai, “e tëra kjo ka patur një faktor themelor, varfërinë, varfërinë dhe mbi të gjitha varfërinë”.
Duke folur për programin e PD, Berisha u shpreh se, me minimumin jetik dhe kartën e konsumatorit, në 3 muaj e parë të qeverisjes së PD do i jepet fund varfërisë ekstreme.
Berisha u shpreh se sot 41% e popullatës janë në rrezik varfërie dhe varfëri, teksa ndihmë ekonomike marrin gjithsej 61 mijë qytetarë.
“Pra, e gjitha kjo është një qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve dhe kjo merr fund në 3 muajt e parë të qeverisjes sonë. Qoftë me minimumin jetik, qoftë me rrogën minimale që nuk do të jetë nën 500 euro, qoftë me kartën e konsumatorit për të gjithë familjet në nevojë apo personat në nevojë që marrin rrogë 500 euro apo marrin minimumin jetik 200 euro. Do të jetë një përpjesëtim i tarifave të ujit, i çmimit të energjisë dhe do të bëjmë gjithçka që në një kohë rekord ta çlirojmë nga dhimbjet e skamjes”, tha Berisha.
Berisha shtoi se do veprohet në kushtet e emergjencës, pasi 3 muaj nuk janë të mjaftueshëm.
“Realizimi i qëllimit tonë kërkon një politikë demografike shumë serioze, e cila duhet të synojë shtimin e popullatës në këtë vend, nga viti në vit”, vuri në dukje ai.
Kreu i PD tha se, “do të asistohet nga qeveria për fëmijën e parë, pagesë të përmuajshme për fëmijën e dytë dhe fëmija i tretë nga lindja deri në moshën 23-vjeçare do të merret përsipër tërësisht nga shteti”.
Berisha gjithashtu premtoi kuadër ligjor të veçantë për nënat kryefamiljare, teksa u shpreh se, do të ndihmohen edhe nënat me shumë fëmijë.
“Një kuadër fiskal lehtësues, përjashtues për nënat me shumë fëmijë. Një kuadër që të ndihmojë suksesin e saj në garantimin e një jetese normale për familjen, është i domosdoshëm. Krahas kësaj, Shqipëria është vendi i nënave kryefamiljare me numrin më të lartë ndoshta në rajon dhe më gjerë, për shkak të emigrimit të baballarëve. Atëherë, një kuadër ligjor i veçantë, ju garantoj dhe po punohet për nënat kryefamiljare”, tha ai, duke shtuar se, “duhet detyrimisht një kuadër ligjor që të garantojë lehtësimin e barrës që ajo përballon, qoftë në aspektin financiar, qoftë në aspektin burokratik”.
Berisha gjithashtu u shpreh se, çdo emigrant i rikthyer do të jetë 5 vite pa taksa, si dhe do të ndihmohen me kredi të buta dhe grante.
“Shqipëria ka nevojë shumë për një politikë që të nxisë, të rikthejë qindra mijëra që janë larguar nga ky vend”, tha Berisha dhe shtoi ai, “ne do bëjmë gjithçka që ata të kthehen në Shqipëri. Kursimet e tyre të kenë sukses në këtë vend. Një periudhë prej 5 vitesh do jetë pa taksa”.
Por, shtoi kreu i PD, “nuk përbën vetëm kjo një masë për kthimin e tyre të butë në Shqipëri. Jo, duhen një seri masash të tjera. Duhen kredi të favorshme, duhen grante për start up-et e tyre”. /j.p/