Berisha: Ministria e Financave refuzoi 6 herë kërkesën për ndërtimin e incineratorit të Tiranës

“Vapa e gushtit ra, por flakët e djegësit të Tiranës bëhen gjithnjë e më shumë përcëlluese”. Kështu e nisi deklaratën e tij para medieve, ish-kryeministri Sali Berisha teksa denoncoi atë që e quan “aferën e incineratorit të Tiranës”.
Sipas Berishës, të dhënat që ai ka flasin për një bashkëpunim të mundshëm mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama.
“Të dhëna autentike, zyrtare, origjinale faktojnë se Erion Veliaj është autori më kryesor, së bashku me Edi Ramën, i vjedhjes së shekullit me inceneratorin e Tiranës,” tha Berisha.
Kreu i grupit demokrat tha se sipas të njëjtave të dhëna, Ministria e Financave e ka refuzuar gjashtë herë ndërtimin e incineratorit të Tiranës.
“Janë të gjitha datat: 28 shtator 2016, 27 nëntor, 7 dhjetor i po të njëjtit vit, 27 dhjetor të 2016 në të cilat Ministria e Financave ka shprehur disaprovimin e saj të plotë për djegësin e Tiranës. Përveç këtyre, data 1 shkurt, 21 shkurt, pra janë edhe këto data të kërkesave dhe të refuzimit të Ministrisë së Financave për projektin e vjedhjes së shekullit që është Inceneratori i Tiranës,” u shpreh ai.
/rtsh.al/