Berisha Mocionin per Fierin e lejon ligji. Ruci shte antikushtetues

Mandati për kreun e qarkut të Fierit ka sjellë replika të ashpra mes Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarit të grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi. Alternativën e ofruar nga kreu i mazhorancës për ndërmarjen e një mocioni nga këshilltarët vendorë në Fier, Ruçi e cilësoi si të paqëndrueshme, pasi sipas tij, kjo është antikushtetuese.
Përballë këtij qëndrimi erdhi dhe reagimi sqarues i kreut të ekzekutivit, i cili argumentoi se deklarata e Ruçit ishte krejtësisht e gënjeshtërt.
“Kjo është një gënjeshtër banale. Neni 32 i qeverisjes vendore, u njeh këshillave të bashkive dhe komunave të drejtën për dhënien dhe heqjen e mandatit të këshilltarëve të këshillave të qarkut. Neni 52 përcakton mënyrën e ndërtimit të këshillave të qarkut. Përveç kësaj ka një vendim të gjykatave në çdo shkallë, i cili le në fuqi kryetarin aktual dhe aktet firmosen prej tij, gjersa çështja të shqyrtohet në themel”, vuri në dukje, Berisha.
Për këtë arsye, kreu i mazhorancës lëshoi sërish apelin për opozitën parlamentare që të mos kushtëzojë votën për tre ligjet e BE-së me Fierin, por t’i votojë ato, me qëllim që vendi të marrë statusin në dhjetor.