E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Muja po i uzurpon hapësiratë publike

Kryetari Bashkimit Demokratik (BD), Zafir Berisha, akuzoi kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, për uzurpim të hapësirave publike. “BD-ja edhe një herë shpreh shqetësimin rreth situatës alarmante të uzurpimit të hapësirave publike dhe pronës komunale nga njerëz të pandërgjegjshëm që janë të afërt me strukturat para-politike të partisë në pushtet”, tha Berisha.

Sipas tij, Ramadan Muja, duke qenë kryetar formal i qytetit dhe i pa fuqishëm ndaj krimit të organizuar dhe ndikimit të politikës provinciale nga Prishtina, është duke e dëmtuar rënd imazhin e qytetit të Prizrenit.

“Kohëve të fundit janë duke u uzurpuar me të madhe hapësirat publike, siç është rasti në rrugën e “Saraçëve”, “Ismail Kryeziu” dhe “William Walker” ku para pushtetarëve të “verbër” vazhdojnë të uzurpohen hapësirat publike”, theksoi Berisha.

Ai tha se ndërtimet pa leje nëpër pronat komunale nëpër shumë pjesë të qytetit përbëjnë një rrezik për perspektivën e qytetit. “Në lagjen “Ortakoll”, “2 korrik” dhe “Dardania” uzurpatorët e pronës komunale, duke ndërtuar pa asnjë kriter rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve të nderuar të Prizrenit”, tha ai, raporton PrizrenPress.

Kryetari i BD-së në Prizren, Zafir Berisha, vlerëson se e keqja më e madhe dhe tepër ofenduese për Bashkimin Demokratik dhe qytetarët e Prizrenit, është keqpërdorimi i emrit të UÇK-së. “Që 14 vite pas luftës disa nga uzurpatorët e keqpërdorin emrin e shenjtë të UÇK-së për të përfituar në mënyrë joligjore dhe jo të ndershme”.

Berisha tha se qeverisja komunale “me kryetarin kukëll “, Ramadan Muja, është duke legalizuar krimin dhe keqpërdorimin e parasë publike edhe në Drejtorinë e Arsimit.

“Për fat të keq, po pësojnë nxënësit e Prizrenit, duke mbajtur orën e mësimit në kohëzgjatje prej 30 minuta. Në disa shkolla për shkak të mungesës së lëndëve djegëse dhe cilësisë së dobët që vjen si rezultat i sëmundjes së tenderomanisë në këtë komunë”, tha Berisha.

Ai tha se gjendja katastrofale është edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prizren, e cila udhëhiqet nga familja Muja.

“Në QMF pacientët vuajnë edhe për gjërat elementare, deri sa në anën tjetër buxheti për këtë dikaster shfrytëzohet për makina dhe investime pa kritere”, tha Berisha. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›