E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta politike lë AKP-në pa bord

Nga: Fatos Shala

Agjencia Kosovare e Kosovës (AKP), është “ngrirë” kompletë. Në këtë agjenci tani e shtatë muaj nuk është bërë asnjë punë. Bllokada e punës ka ardhur për shkak të mungesës së bordit, të cilit i ka skaduar mandati në korrik të vitit 2012.

Indeksonline ka mësuar nga burime të sigurta brenda AKP-së se emërimi i bordit është duke u penguar nga njerëzit e politikes. Ky burim ka treguar se partitë politike janë duke bërë presione për të pasur sa më shumë poste në organet drejtuese të kësaj agjencie.

“Krahas posteve, ka kërkesa për zgjerim të partive politike që po duan të kenë hise në organet drejtuese të Agjencisë. Kjo edhe po e zgjat procesin e emërimit të anëtarëve të rinj”, ka thënë burimi.

Bllokada e punës ka filluar t’i shqetësoj edhe zyrtarët e AKP-së. Ata thonë se s bordi është i domosdoshëm dhe sipas tyre pa zgjedhjen e tyre asnjë punë nuk mund të kryhet. Por, ata nuk tregojnë arsye konkrete se pse nuk është duke u emëruar bordi, vetëm thonë se për emërimin e tyre është kompetent Kuvendi i Kosovës.

“Bordi është i domosdoshëm për kryerjen e detyrave që ka të përcaktuara me ligj, mosfunksionimi i bordit krijon vështirësi shumë të mëdha për AKP-në. Vështirësi janë krijuar edhe për shkak të mosfunksionimit te bordit prej korrikut. Anëtareve vendës të bordit i ka skaduar mandati në korrik 2012, akoma nuk është zgjedh bordi i ri, i cili sipas ligjit zgjidhet nga kuvendi”, ka thënë për Indeksonline Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP duke treguar se ky institucion tani nuk është duke vazhduar as privatizimin dhe as shpërndarjen e 20 për qindëshit.

“AKP nuk mund të vazhdoj me shpalljen e tenderëve te privatizimit dhe as me përmbylljen e privatizimeve për çka janë hapur ofertat pa punën e Bordit, pasi qe është Bordi organi qe duhet te miratoj valët e reja te privatizimit, pastaj aprovimin e një privatizimi, shpërndarjet e 20 etj”, ka thënë Kaloshi.

Qeveria e Kosovës në muajin nëntor të vitit të kaluar kishte dërguar në Kuvendin e Kosovës emrat e propozuar për kryetar të bordit dhe të anëtareve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës për kryesues dhe anëtar të Bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit i propozon Kuvendit të Kosovës - Blerim Rexha - kryesues, Maja Milanovic - anëtare, Haxhi Arifi - anëtar, Dardane Peja - anëtar dhe Skënder Komoni – anëtar”, kështu thuhej në një vendim Qeverisë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›