Berisha: Ndërkombëtarët të mbështesin protestën e opozitës

Kryetari I Partisë Demokratike Sali Berisha u kërkoi ndërkombëtarëve të mbështesin shqiptarët në betejën që ai e quan për mbrojtjen e votës. Nga selia blu ku falënderoi mbështetësit që iu bashkuan protestës së 12 nëntorit, ndërsa tha se opozita nuk do të ndalet deri në përmbysjen e sistemit.
Berisha tha se shumë shpejt qytetarët do të njihen me axhendën e “protestave të fuqishme” dhe i bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të mbështesin shqiptarët në këtë betejë.
“Shpreh mirënjohjen më të pakufishme për ata qindra, mijëra, burra, djem e vajza nga Tirana por dhe nga 4 anët e Shqipërisë dhe nga diaspora. Për të marrë pjesë në protestën, më madhështore, më të fuqishme që Tirana ka njohur në historinë e saj. Protesta e 12 nëntorit ishte zeniti i protestave në popullatë krahasuar me protesta në botë. Pati mesazhin më të shkëlqyer që qytetarët fisnikë, të Tiranës e Shqipërisë u dërguan mesazh shprese, besimi e fitore. Por njëkohësisht, protestuesit, u dërguan kancelarive të botës dhe Evropës, se krahas një narkoshteti të instaluar në Shqipëri, krahas një monizmi me vjedhje dhe drogë, ekziston një komb i tërë i ngritur në këmbë për ta hedhur në Lanë, për të përmbysur këtë regjim. Në 90 u ngritëm së bashku, me moton vdekje, vdekje komunizmit, ne përmbysem sistemin. Sot, është koha dhe njëherë, të përsërisim, vdekje, vdekje monizmit, të bazuar kësaj here, në drogë, vjedhje dhe krim. Edhe njëherë thirrja ime për miqtë dhe partnerët është: Mbështesni shqiptarët në betejën e tyre. Ne do fitojmë”, tha Berisha.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt Lulzim Bashën si pjesë në aferën e Ramës në Portin e Durrësit, ndërsa tha se kryeministri synon të marrë flamurin e PD-së, për t’ia dhënë atë vasalëve të tij.
“Edi Rama është një armik i betuar i parlamentarizmit. Unë u them sot se nuk ka kryeministër në planet, as edhe Idi Amin që vriste ministrat e tij, diktator që mund të përdorë një fjalim të tillë kundër opozitës si Edi Rama. Së fundmi, Edi Rama kërkon asgjësimin e pluralizmit. Kërkon të marrë flamurin e PD-së dhe t’ua varë në qafë, vasalëve të tij, me qëllim që të hakmerret si bir dhe nip xhelati, për përmbysjen që kjo parti u bëri etërve të tij. Ky monizëm nuk ka të ndalur, aferat e tmerrshme të Edi Ramës janë unike në botë. Pasi ka vjedhur 420 milionë euro me firmën e tij për ndërmarrjen e tij të djegësve, vërsulet i tërbuar për të vjedhur 1 milion metër katror tokë në një sipërmarrje, shumë shpejt do e njihni, me dokumente false. 60 përqind të aksionerëve janë Edi Rama dhe Lulzim Brava dhe mafiozët e tyre. Po organizojnë në Durrësin e Shqipërisë vjedhjen më të tmerrshme në histori” tha Berisha.
/rtsh.al/