Berisha: Ndërpresim çdo diskutim për poste me mazhorancën

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në mbledhjen e kryesisë së PD se opozita do të ndërpresë çdo lloj negociate, diskutimi apo debati me mazhorancën për emra dhe funksione institucionale, pas asaj që ai e cilësoi si një akt antikushtetues në zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Duke iu referuar vendimit të kryeministrit Edi Rama, Berisha u shpreh se me këtë veprim është synuar marrja e plotë e pushteteve.
“Me këtë akt, ai mori në mënyrë absolute të gjitha pushtetet. Avokati i Popullit ishte një institucion i ndërmjetëm, por u mor me rrëmbim. E gëzoftë”, deklaroi Berisha.
Ai pranoi se firmosja fillestare për kandidaturën e Endrit Shabanit ka qenë një gabim nga ana e disa deputetëve të PD-së.
“Firmosja e Endrit Shabanit ka qenë një gabim i padiskutueshëm, një akt i nxituar. Kam kërkuar ndjesë dhe kërkoj ndjesë sërish për këtë akt”, tha kreu i PD-së.
Megjithatë, Berisha theksoi se të gjitha firmat janë tërhequr zyrtarisht përpara votimit.
“Firmat janë tërhequr me firmë, jo me deklaratë publike. Në momentin e votimit nuk ka pasur asnjë firmë të PD-së për këtë kandidaturë”, u shpreh ai, duke shtuar se, sipas ligjit, propozimi mund të tërhiqet deri në momentin e fundit.
Sipas Berishës, pretendimi se opozita e ka zgjedhur Avokatin e Popullit është i pavërtetë.
“Endrit Shabani është emëruar pa asnjë firmë nga PD dhe asnjë deputet i PD nuk ka votuar për të. Çdo koment tjetër është pa bazë juridike”, deklaroi ai.
Kreu i PD-së nënvizoi se opozita kishte paraqitur kandidatura të tjera dhe nuk kishte kushtëzuar procesin me një emër të vetëm.
“Ne kishim kandidaturat tona dhe nuk shkuam kurrë me logjikën ‘ose ky, ose nuk ka’”, tha Berisha.
Në përfundim, ai bëri të qartë se qëndrimi i PD-së do të jetë përqendrimi te protesta dhe përballja politike.
“Me këtë akt, PD ndërpret çdo lloj debati dhe diskutimi për çdo lloj personi dhe çdo lloj funksioni me partinë e krimit. Gjithçka do të jetë tek protesta”, deklaroi Berisha, duke shtuar se opozita do të qëndrojë “në anën e qytetarëve dhe të Kushtetutës”.
/gj.m/r.e/